As ndryshimi në pankinë, ku Mirel Josa i la vendin Bylbyl Sokolit, nuk i mjaftoi Prishtinës që të rikthehet te suksesi, teksa kryeqytetasit pësuan humbjen e dytë sezonale mbrëmjen e sotme në stadiumin “Fadil Vokrri” përballë Llapit të Podujevës.

Prishtina nuk e nisi aspak mirë kampionatin, teksa pas barazimit në derbi ndaj Flamurtarit, humbi në transfertën ndaj kampionëve në fuqi të Feronikelit, çka solli shkarkimin e Josës, por situata nuk ndryshoi as këtë javë.

Në sfidën përballë skuadrën nga Podujeva, kryeqytetasit prodhuan një volum shumë të madh loje, por nuk arritën të ishin konkretë me mundësitë e shënimit, teksa Ahmed Januzi pati rastet më të mira për të dërguar topin në rrjetë, por nuk ia doli.

Nga ana tjetër, Llapi ishte rreshtuar mirë në gjysmëfushën e tij dhe zbriste vazhdimisht rrezikshëm në kundërsulm, duke shfrytëzuar shpejtësinë e Sebino Plakut, teksa në një rast të tillë gjeti edhe golin e avantazhit.

Ishte minuta e 30’ kur miqtë nga Podujeva rrëmbyen një top në mesfushë dhe zbritën shpejt, teksa Emini krosoi topin në zonë, aty ku Plaku “fluturoi” me kokë dhe arriti të gjuajë saktë, duke kaluar të tijtë në avantazh.

Përpjekjet e Prishtinës për të gjetur golin e barazimit, nuk u ndalën deri në fund, por skuadra u shfaq vazhdimisht konfuze dhe topi nuk filtronte thuajse asnjëherë në zonën e llapjanëve, që në fund dolën me 3 pikë mjaft të rëndësishme nga kjo transfertë./supersport.al

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA