“Jemi në vendet e fundit në Europë, ku diaspora nuk ka të drejtën për të votuar ata kërkojnë njohje të kontributeve, për të pasur edhe një numër vendesh në Kuvend të dedikuar për ta ekskluzivisht”, kështu tha në parlament Ditmir Bushati referuar punës që qeveria duhet të bëjë ndaj Diasporës.
“Për diasporën kemi bërë pak, jemi përpjekur për të revulocionizuar shërbimet konsullore, me sa më pak abuzim. Por, kemi dobësi si shtet dhe shoqëri për të mbrojtur shqiptarët jashtë atedhut, duhet të mbështesim financiarisht edhe këtë si prioritet. 30 vjet nga rënia e komunizmit jemi në një dilemë si të mbrojmë shqiptarët jashtë atdheut dhe si t’ja bëjmë jetën më të lehtë atyre që jetojnë këtu.”- tha Bushati.
Duke u ndalur në situatën aktuale ish ministri i jashtë theksoi se sot jemi duke përjetuar një krizë vlerash, për të cilat listoi disa arsye.
“ 30 vite më pas mund të themi se jemi në gjendje më të mirë ekonomike. Por jemi duke përjetuar një krizë vlerash, e cila nuk vjen nga përtacia, por nga mpirja që sjell mungesën e shpresës, nga grykësia dhe paaftësia për të ndërtuar një sistem vlerash. Duhet të jemi të drejtpërdrejtë e të sinqertë me këtë temë. Nuk mund të themi dot dhe vetëm që jemi vendi i Shqiponjave, i Skënderbeut apo i Nënë Terezës. S’mund të përdorim një patriotizëm fals, të mbushim stadiume e të brohorasim sa herë ka ndeshje. Duhet të bëhemi bashkë për të përcaktuar qëllimet se ku do të jetë Shqipëria pas 20 apo 30 vitesh. Këto objektiva duhet të kenë diasporën në qendër të tyre. Ta bëjmë këtë vend më të jetueshëm më të drejtë, t’i vendosim etiketën për cfarë duhet të njihemi. Evropa ka jetuar 550 vjet pa Shqipërinë, mund të jetojë edhe 550 të tjera. Para se ti drejtojmë gishtin njëri tjetrit duhet ti bëjmë pyetje vetes ku isha unë dy-tre javë para se BE të merrte vendimin për ne, ne do t’ja falim vetes? Cfarë do të thonë fëmijët tanë?“- vijoi më tej Bushati .
Menjëherë pas tij e ka marrë fjalën Taulant Balla, i cili kritikave të tij i dha përgjigje, pa ia përmendur emrin kur tha se “për pesimistët u them se ne do hapim negociatat”.
Po ashtu Balla tha se reforma zgjedhore duhet bërë me opozitën, e cila e ka vendin në komision.
“Njohja e kontributeve është një proces i nisur nga ne, deri në 2013 nuk kishim asnjë marrëveshje. për pensionet, kemi marrëveshje me 18 vende të Bashkimit Europian.
Po punojmë për marrëveshje me Greqinë dhe Italinë, duam që të realizohet. Reforma zgjedhore dhe vota e emigrantëve është në fokusin e PS. Reformat zgjedhore bëhen bashkë me opozitën, vendi i tyre është bosh. Pa depolitizuar Komisionet, nuk ka reformë zgjedhore”, tha Balla.
Top Channel