Maratona e Tiranës, në faqet e Maratonave më të njohura në botë

11/09/2019 14:05

Edhe këtë vit, Tirana “vrapon” në edicionin e katërt të maratonës, që pritet të mbahet më 13 tetor.

Serioziteti dhe pjesëmarrja e lartë në tre maratona e para e kanë përfshirë Maratonën e Tiranës tek maratonat më të njohura në botë.

Faqja e njohur e maratonave, “worldsmarathons”, i bën jehonë edicionit të katërt të kësaj gare, duke e cilësuar “Gjysmë Maratonën e Tiranës” si eventin më të madh sportiv në kryeqytetin shqiptar.

Këtë fakt e tregon edhe pjesëmarrja në garë e shumë vrapuesve nga vende të ndryshme të botës.

Rritja e numrit të pjesëmarrësve në maratonë nga viti në vit, është një tregues i mirë se ky event është mjaft i dëshiruar jo vetëm nga qytetarët e Tiranës, por edhe nga të apasionuar pas sporteve nga vende të tjera.

Ky event, i cili tashmë po kthehet në një traditë, është aprovuar nga Federata Botërore e Atletikës, si dhe nga federata shqiptare.

Në këtë edicion, gara në Maratonën e Tiranës është e organizuar për 3 kategori: Gjysmë maratona (21 ), Tirana 10 K, dhe “We too”, e cila është më shumë një kategori motivuese sesa garuese.

Itineraret e reja, të certifikuara nga Shoqata Ndërkombëtare e Federatave të Atletikës, do të përshkruajnë pikat më atraktive të qytetit, duke bërë që gara të jetë jo vetëm sfiduese, por edhe argëtuese.

Ndaj ky 13 tetor, do të jetë jo vetëm një ditë e mbushur me aktivitete sportive për qytetarët e Tiranës dhe të huajt që do t’i bashkohen kësaj gare, por edhe një ditë festive, me aktivitete kulturore dhe artistike.

Ndërsa çmimet për fituesit, do të jenë mjaft joshëse, duke e bërë garën e Maratonës Tirana 2019 edhe më sfiduese.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA