Pas deklaratës së presidentit çek, Millosh Zeman-it mbi tërheqjen e njohjes së Kosovës, raportohet se Ramush Haradinaj nuk do të shkojë të enjten në Pragë, ku pritej të merrte pjesë në samitin e Vishegradit.
Nga zyra e Haradinajt është konfirmuar për “Gazetën Express” se ai nuk do t’i bashkohet samitit në fjalë.
Ndonëse thuhet se arsyet e mospjesëmarrjes janë angazhimet e Haradinajt, mendohet se shkak është bërë deklarata e fortë e kreut të lartë të shtetit të Çekisë, i cili i tha dje kreut të shtetit serb, Aleksandër Vuciq, se e do Serbinë dhe se nuk i pëlqen Kosova.
Zeman u kujdes të theksonte se ajo që mund të bëjë është “t’i japë një muaj kohë për konsultime të autoriteteve, mbi mundësinë e tërheqjes së njohjes për Kosovën”. Kreu i shtetit çek shpreson të marrë për këtë nismë të tij mbështetjen e ministrit të Mbrojtjes, Lubomir Mentar, i cili e ka përshkruar më parë si “gabim diplomatic”, vendimi për ta njohur pavarësinë e Kosovës.
“Ai me siguri do të jetë në anën time, kush do të jetë në anën tjetër, do ta shohim”, ka thënë Zeman.
Vucici e falenderoi për pikëpamjet e tij rreth Kosovës, dhe tha se e kishte informuar gjerësisht për problemet mes Prishtinës dhe Beogradit, ndonëse siç u shpreh dhe vetë, nuk e priste që Zeman ta ndërmerrte këtë iniciativë.
Top Channel