Do ta injorojë Boris Johnson ligjin kundër një Brexiti pa marrëveshje? Nga e hëna parlamenti është i detyruar të shkojë me pushime pesë javë.
Dorëheqja e Amber Rudd ishte goditja e fortë e fundjavës. Madje ishte për t’u habitur, se si duronte ministrja e Punës nga krahu i moderuar i konservatorëve në kabinetin ministror të Boris Johnsonit.
Tani ajo u dorëhoq, duke thënë se nuk mund të shohë më si “përjashtohen konservatorë të mirë, besnikë dhe të moderuar.” Veprimet e kryeministrit ajo i quajti një “akt të vandalizmit politik”.
Të hënën Boris Johnson takohet me kryeministrin irlandez, Leo Varadkar në Dublin. Takimi në rezidencën qeveritare synon të jetë një takim i krijimit të besimit. Por irlandezët janë të zemëruar me britanikët, sepse Johnson la kohë për këtë vizitë. Për besim nuk mund të flitet, sepse Johnson nuk ka bërë të ditura detaje për një zgjidhje alternative për mbajtjen hapur të kufirit mes Irlandës dhe Irlandës Veriore. Ai kërkon të heqë Backstop-in me çdo kusht nga marrëveshja.
Deri më tani në bisedimet në Bruksel është folur vetëm për urdhëresa që do të rregullojnë transportin e lirë të produkteve bujqësore. Sipas të dhënave të BE nuk zgjidhet me to problemi i kufirit. Ende të pakonfirmuara janë zërat, nëse qeveria britanike do të kthehet në një variant të dikurshëm, pra ta lerë vetëm Irlandën Veriore në unionin doganor dhe në pjesë të tregut të brendshëm.
BE e kishte propozuar këtë, por më vonë me dëshirën e britanikëve erdhi zgjidhja e “backstop-it”. Por këtë ide Boris Johnson mund ta realizojë vetëm me mbështetjen e partisë irlandezoveriore, DUP. Se si do të jetë kjo mbështetje, kjo dihet pas zgjedhjeve.
Çfarë ndodh, nëse kryeministri injoron ligjin?
Boris Johnson do të kërkojë sërish zgjedhje të reja në Dhomën e Ulët. Për këtë atij i duhet sërish një mazhorancë me dy të tretat. Por opozita është betuar, se nuk do t’ia japë këtë kënaqësi Johnsonit.
Laburistët, liberalët, partia skoceze, SNP dhe deputetë të pavarur do të thonë Jo, deri sa ta kenë të sigurtë një shtyrje të Brexitit në tetor. Ata nuk i besojnë kryeministrit.
Për këtë tani ata kanë edhe një arsye më shumë, pasi ministri i Financave, Sajid Javid në një program të BBC të dielën u shpreh, se kryeministri nuk do të kërkojë në asnjë mënyrë shtyrjen e afatit. Por tek pyetja, nëse ai do ta injorojë ligjin, nuk pati një përgjigje të qartë. Dominic Raab u shpreh, se do të shikohen të gjitha mundësitë ligjore për të shmangur shtyrjen e Brexitit.
Përplasja më e ashpër që nga viti 1688
Që një kryeministër më vullnet të qartë e shkel një ligj, kjo nuk ka ndodhur në historinë e re britanike. Ka zëra se Downing Street pret që grindja ligjore mes parlamentit ose prokurorit të përgjithshëm e çuar në Gjykatën e Lartë të zgjasë aq shumë, saqë Britania e Madhe automatikisht më 31 tetor të dalë ngë BE.
Por ky plan do ta fuste Britaninë e Madhe në një krizë të rëndë institucionale. Do të ishte “përplasja më e madhe që nga viti 1688 kur u themelua qeveria parlamentare”, shkruan Times.
Vetë Johnson u shpreh të enjten e kaluar, se më mirë do “futej në varr”, se të kërkonte një zgjatje të re të Brexitit. Por ai nuk ka dhënë deri më tani asnjë sinjal, se çfarë do të bëjë në vend të kësaj.
Do të Franca thotë “jo”?
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian tha në fundjavë, se mungon progresi në bisedimet në Bruksel. “Kjo është shqetësuese. Britanikët duhet të na e thonë, se çfarë dëshirojnë.” Sipas tij “nuk do ta shtyjmë afatin çdo tre muaj”.
Për negociuesit në Bruksel bisedimet janë një farsë. I ngarkuari britanik, David Frost nuk ka bërë propozime konkrete. BE është po ashtu e alarmuar, sepse ai duket se nuk do t’i marrë seriozisht detyrimet që dalin nga deklarata politike, të cilat do të garantojnë pas Brexitit kushte ta barabarta konkurrence. Në rast të kundërt do të ishte e pamundur të arrihej një marrëveshje e tregtisë së lirë.
Që me zgjatjen e dytë të afatit të Brexitit, presidenti i Këshillit të BE, Donald Tusk paralajmëroi britanikët, që të shfrytëzojnë kohën, të mos e “shpërdorojnë” atë. Ky paralajmërim nuk u dëgjua. Qeveria franceze ishte skeptike që në fillim me zgjatjen e Brexitit.
Nuk pritet që Parisi të thotë vërtet “jo” në një shtyrje të mundshme të afatit, nëse nga Londra vijnë argumente të forta. Këto mund të jenë një referendum i dytë, e ndoshta edhe zgjedhjet e reja. Por qëllimi nuk është të jepet më shumë kohë, për më shumë kaos politik në Britaninë e Madhe.
Çfarë mund të bëjë Boris Johnson?
Çfarë i mbetet të bëjë Boris Johnson? Ai mund të kërkojë një votë mosbesimi, por këtë e kanë refuzuar këshilltarët e tij dhe kryeministri vetë kërkon të mbetet në qeveri. Megjithatë një plan B nga Downing Street e parahikon edhe dorëheqjen e kryeministrit. Me këtë do të hapej rruga për një qeveri të përkohshme me një person të besuar nga opozita, që do ta kërkonte shtyrjen e Brexitit në vend të tij.
Më së miri, Boris Johnson do të donte të futej në një fushatë zgjedhore e me të gjitha armët e populizmit. Tema bazë: Populli ngrihet për shkak të Brexitit kundër parlamentit. Zgjedhjet do të ishin pas kësaj në tetor, nëse do të ishte bërë një shtyrje e mundshme e Brexitit.
Mundësia tjetër do të ishte që Johnson vërtet t’i hynte një beteje ligjore dhe ta injoronte ligjin kundër “No deal Brexit”. Pasojat e këtij hapi nuk do të ishin të parashikueshme. Juristë të lartë kanë paralajmëruar madje, se Boris Johnson mund të përfundonte edhe në burg.
E në fund, Boris Johnson mund ta kthente timonin e të kërkonte seriozisht një “deal” me BE. Por koha për këtë është shumë e shkurtër. Deri në datën e Brexit kanë mbetur vetëm 52 ditë./DW
Top Channel