Mëngjesin e së martës, ka nisur faza e testimit fizik për 1040 konkurentë për tu bërë pjesë e Policisë së Shtetit, nga ku më pas do të përzgjidhen vetëm 500.

Përgjatë 10 ditëve në vijim, do t’i nënshtrohen testit 100 aplikantë çdo ditë, të cilët po testohen sipas rendit zbritës së listës fituese të fazës së provimit me shkrim, por edhe qarqeve përkatëse.

Testi fizik po kryhet në ambientet e repartit të forcave speciale “Renea”.

Njoftimi është bërë i ditur nga Akademia e Sigurisë në faqen zyrtare të saj.

500 aplikantët që do të përzgjidhen, pas testit fizik do t’i nënshtrohen edhe testit psikologjik për të bërë vlerësimin nëse aplikanti është i aftë dhe nëse mund t’i bashkohet patrullave të përgjithshme të policisë.

Ndërkaq, kanë mbetur ende 5 ditë kohë (deri më 15 shtator) nga aplikimet për 100 vende në strukturat e hetimit të policisë së shtetit.

Aplikantët duhet që të kenë mbaruar me rezultate të larta studimet në degët Ekonomi, Juridik dhe Teknologji Informacioni. 100 të përzgjedhurit e këtij aplikimi, pas përfundimit të kursit në Akademinë e Sigurisë, marrin menjëherë gradën nën/komisar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA