Pas Argjentinës, Spanjës dhe Australisë edhe përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara siguroi fitoren e pestë në po kaq ndeshje, në edicionin e 18 të kampionatit Botëror të basketbollit për meshkuj. Privilegjin për të mbyllur fazën e dytë të grupeve në këtë botëror e patën pikërisht kampionët në fuqi, të cilët në Shenzhen mundën me 16 pikë dhe pa shumë vuajtje ekipin e Brazilit.
Skuadra amerikane e kishte siguruar që më parë objektivin e kualifikimit, ndërsa ekipit verdhjeshil në krahun tjetër i nevojitej patjetër fitorja për të kaluar në fazën çerekfinale të këtij kompeticioni.
9 vjet më parë në Stamboll në fazën e grupeve Brazili u mund nga Shtetet e Bashkuara minimalisht 70-68, e kurioz është fakti se nga ajo përballje në fushë kroati Aleksandar Petrovic rreshtoi plot pesë lojtarë përtej moshës 35-vjeçare, si Alex Garcia, Varejao, Marquinhos, Leandro Barbosa dhe Marcelo Huertas.
Në anën tjetër veterani Gregg Popovich përsëri nuk pati në dispozicion yllin e Boston Celtics Jayson Tatum, që vijon të jetë i dëmtuar, sidoqoftë pjesa e parë ishte tepër i ekuilibruar dhe ekipi amerikan i fitoi minimalisht dy periodat e para 21-18 dhe 22-21, për të shkuar në interval me rezultatin e ngushtë 43-39.
Diferencat dolën në pah në 10 minutëshin e tretë pasi skuadra e Shteteve të Bashkuara u shkëput deri në 11 pikë, ndërsa në periodën e fundit kampionët në fuqi shkuan deri në +21. Përfundimisht ekipi amerikan fitoi gjithë takimin me shifrat 89-73, duke e mbyllur edhe grupin K me 100% të pikëve. Katër lojtarë te Shtetet e Bashkuara e mbyllën ndeshjen me dy shifra.
Kemba Walker e përfundoi takimin me 16 pikë e 5 asist, ndërsa Myles Turner kontribuoi me 16 pikë e 8 rebound, sidoqoftë lojtari i ndeshjes ishte padyshim basketbollisti i Burgosit, 29-vjecari paulist Vitor Benite, që realizoi 21 pikë në vetëm 21 minuta lojë.
Brazili që fitoi Grupin F me pikë të plota, pësoi humbjen e dytë në fazën e dytë të grupeve, duke mbetur në këtë mënyrë jashtë fazës çerekfinale, ndërsa Shtetet e Bashkuara bëjnë përpara pa shumë bujë dhe në raundin tjetër ditën e mërkurë në qytetin e Dongguan-it ekipi amerikan do të përballet me Francën, pasi skuadra e drejtuar nga Vincent Collet shpërdoroi në Nanjing avantazhin e 9 pikëve ndaj Australisë, që fitoi takimin në sekondat e fundit në mënyrë dramatike me rezultatin 100-98, duke zënë vendin e parë në Grupin L dhe shmangur njëkohësisht edhe një duel me kampionët në fuqi.
Befasinë më të madhe e shkaktoi gjithsesi Republika Çeke, që ndonëse u mund 84-77 nga Greqia në Shenzhen Bay Sports Centre, përsëri ia doli mbanë për të siguruar kalimin mes tetë skuadrave më të mira të këtij aktiviteti.
Ekipit helen i nevojitej patjetër një fitore me 12 apo më tepër pikë diferencë, e për hir të së vërtetës skuadra ballkanase ishte tre herë në epërsinë e 12 pikëve pikërisht në periodën përmbyllëse të ndeshjes, gjithsesi përfaqësuesja çeke ngushtoi diferencën dhe bëri mrekullinë, duke regjistruar kështu edhe një kualifikim historik, pasi këtë herë kalon e vetme mes tetë skuadrave më të mira, pas shpërbërjes së Çekosllovakisë.
Për Greqinë rezultoi fatale kështu disfata me Brazilin në fazën e parë të grupeve, ku ekipi helen shpërdoroi avantazhin e plot 17 pikëve. Në historinë e botërorëve ende nuk është regjistruar asnjë triple – double, megjithatë këtë herë flirtoi me një arritje të tillë pikërisht ylli i skuadrës, basketbollisti që luan në NBA me Chicago Bulls Tomas Satoransky, që e përfundoi takimin me 13 pikë, 8 rebound e 9 asist, sidoqoftë në turin tjetër përfaqësuesen ceke e pret një mision tepër i vështirë, pasi ditën e mërkurë në cerekfinale skuadra e drejtuar nga Ronen Ginzburg do të masë forcat me ekipin e Australisë.
Top Channel