Serbia konfirmohet si superfuqi e volejbollit të femrave në Evropë. Skuadra sllave siguroi një tjetër titull kontinental duke mbrojtur atë të fituar 2 vite më parë, ndërkohë që në 2018 ajo është shpallur edhe kampione e botës.

Në finalen e edicionit të 31 të Evropianit, Serbia mundi në finale skuadrën e Turqisë  3-2 në sfidën e zhvilluar në Ankara duke i rezistuar mjaft mirë ‘ferrit’ të krijuar nga tifozeria vendase në mbështetje të skuadrës së tyre.

Turqia i çoi të gjithë në delir teksa fitoi setin e parë me rezultatin 25-21, por Serbia tregoi se jo rastësisht është skuadra më e mirë ne botë duke fituar dy sete radhazi, edhe këta u mbyllën me të njëjtin rezultat si seti i parë, 25-21. Seti i katërt ishte i luftuar pikë për pikë nga të dyja skuadra, por në fund maksimumin e mori Turqia që e fitoi 25-22. Tashmë skuadra turke kishte shansin të realizonte ëndrrën e saj për titullin e parë, ndërkohë që tifozeria nuk rreshti asnjë minutë duke krijuar një atmosferë të zjarrtë gjatë gjithë kohës. Në setin final Turqia ishte për një pjesë të mirë të kohës në avantazh, por në çastet e fundit gaboi dhe Serbia përfitoi duke fituar këtë set 15-13 dhe krejt ndeshjen 3-2 në këtë finale vërtet drithëruese, ndërkohë që Volejbollistja më e mirë e turneut u shpall Tijana Boskovic

Ndërkaq, në 12 shtator do të nisë edhe kampionati evropian i volejbollit për meshkuj ku skuadra për t’u mundur është Rusia, një eveniment ky që ashtu sikurse evropiani i femrave do të transmetohet në platformën Digitalb nëpërmjet paketës Supersport.

Top Channel