Tenisi i femrave ka shansin që të ketë në radhët e saj një tjetër talent. Bëhet fjalë për Bianca Andreescu që është mbretëresha e re e US open.

Tenistja 19-vjeçare bëri historinë në Flushing Meadows teksa bëhet e para kanadeze që fiton një titull Grand Slami në lojën individuale. Në finalen e së shtunës, Andreescu mundi as më pak e as më shumë por idhullin e tifozerisë amerikane, Serena Williams që kërkonte titullin e saj të 24 Grand Slam, diçka që për të duket se mbetet një mallkim.

Në këtë sfidë, tenistja 19-vjeçare ishte më konstante në lojën e saj dhe arriti të fitojë këtë sfidë me rezultatin 2-0 me Serena Williams që bëri një sërë gabimesh gjatë kësaj sfide. dhe në fakt, Andreescu arriti të fitojë setin e parë 6-3, ndërkohë që në të dytin mori kryesimin deri në 5-1 madje duke patur edhe një pikë për fitoren e sfidës në dispozicion.

Në këtë moment, Williams shfaqi të gjithë krenarinë e saj dhe arriti t’i anulojë këtë mundësi Andreescu-t për të fituar 4 game radhazi dhe për të barazuar rezultatin në 5-5. Por kanadezja nuk e humbi qetësinë edhe pse i gjithë publiku ishte kundër saj dhe arriti ta mbyllë këtë set 7-5 dhe krejt sfidën 2-0 duke marrë në duart e saj trofeun e parë të një turneu Grand Slam, ndërsa për Serenën shtyhet sërish takimi me rekordin e Margaret Court

 

Top Channel