Turisti pëson goditje në kokë brenda kroçieres, autoritetet e Durrësit i vijnë menjëherë në ndihmë

07/09/2019 10:01

Një turist me traumë në kokë, kroçiera e huaj lëshon sinjalin SOS dhe pacienti transportohet drejt Qendrës së Traumës në Tiranë, pas ndihmës së parë në spitalin e Durrësit.

Në orën 22:40 Kapiteneria e Portit Durrës mori thirrjen për ndihmë nga kroçiera ‘MSC Magnifica’ rreth 20 milje larg nga Durrësi. Një nga udhëtarët e saj kishte pësuar traumë të rëndë në kokë nga një  përplasje dhe kërkohej zbarkimi i tij i menjëhershëm për ndihmë mjekësore të specializuar.

Menjehere u lajmerua kapiteni i Portit dhe u vu në gadishmëri mjeku i portit dhe rimorkiatori ”Joni” si dhe iu dha urdhër kroçieres ‘MSC Magnifica’ të afrohej në radën e Durrësit.

Rimorkiatori “Joni” doli nga porti për ndihmë drejt kroçieres e cila po afrohej me shpejtësi 21 milje/ore, u rakordua nga kapiteni i Portit i cili ndodhej në bord te rimorkiatorit.

Pika e takimit midis dy mjeteve ishte afër Fenerit te Pilotit, rreth orës 00:15. Rimorkiatori u lidh në bordin e djathtë të kroçieres dhe u bë e mundur kalimi në bord me barrelë portative i të sëmurit Matteo Sartori, 33 vjeç, dhe të fejuarës që e shoqëronte Sonia Marcato.

I sëmuri ndodhej në gjendje të rënduar dhe gjatë udhëtimit për në port u mbajt me maskë oksigjeni dhe serum. Pas mesnate, në orën 00:40 të ditës së sotme rimorkiatori mbërriti në port dhe i sëmuri u zhvendos ne ambulancën e Spitalit të Durrësit e cila priste në kalatë. U njoftuan autoritetet përkatëse që i sëmuri u dërgua në spital për t’i dhënë ndihmën e specializuar mjekësore. Nga spitali i Durrësit u transferua për te qendra e traumës për trajtim të specializuar.

Vali Qyrfyçi

FOTO GALERI
1/5

Top Channel