Pronarja e gjelit tashmë të famshëm në Francë, Maurice (Moris) doli triumfuese nga salla e gjyqit ku e kishin dërguar fqinjët e saj të bezdisur nga kënga e tij herët në mëngjes.
Rasti i Corinne Fesseau, e cila u padit për ndotjen akustike që shkaktonte gjeli i saj, mbushi titujt e parë të gazetave në të gjithë botën dhe u konsiderua si tregues i qarte i tensioneve mes banorëve ruralë dhe pronarëve të shtëpive të pushimit. Gjykata në fund i dha të drejtë natyrës, dhe i njohu gjelit të drejtën të këndojë gjatë ditës.
“Maurice fitoi, dhe paditësit, tani duhet ti paguajnë pronares së tij 1.000 euro dëmshpërblim”, shprehet avokati.
Askush në fshatin piktoresk Oleron nuk ishte ankuar më parë për Maurice-in deri në momentin kur ngjitur me shtëpinë e Corinne-s erdhën një çift pensionistësh, të cilët e kishin blerë banesën për të kaluar atje pushimet.
Duke parë shqetësimin e tyre, gruaja kishte bërë lloj-lloj përpjekjesh për ta ndaluar këngën e zhurmshme të gjelit, duke përfshirë këtu dhe vendosjen e fashave të zeza në kokë për ta bërë të mendonte se ishte ende natë de dita nuk kishte zbardhur ende, por më kot; asgjë nuk funksionoi.
Dy pensionistët, Jean-Louis Biron, edhe ai vete ish fermer, si dhe e shoqja Joelle, pretendojnë se gjeli i zgjonte çdo ditë në orën katër të mëngjesit.
Irida Vasia
Top Channel