Mbrëmjen e djeshme emisioni investigative “Fiks Fare”, në Top Channel denoncoi një skandal të ndodhur në Lekbibaj të Tropojës, ku persona të vdekur, të burgosur dhe emigrantë figurojnë në listën e personave që marrin ndihmë ekonomike.
Shërbimi Social Shtetëror ka ngritur menjëherë një grup kontrolli për verifikimin e rasteve të paraqitura në emision si dhe grupi i kontrollit i Drejtorisë Rajonale Tropojë po bën kontroll të formularit të aplikimit, deklaratave 3-mujore, borderove të pagesave, dhe vizita në familje që sipas ligjit duhet t’i kryente administratori shoqëror.
Skandali u zbulua pas denoncimit të disa familjeve, të cilët thanë se të afërmit e tyre, megjithëse kanë emrin në listë si dhe kanë firmosur, nuk kanë marrë asnjë ndihmë.
Dy vëllezër, njëri në burg e tjetri në kërkim, figurojnë në listën e ndihmës ekonomike.
Një tjetër person, megjithëse kishte ndërruar jetë në vitin 2018, merrte ndihmë ekonomike. Persona të tjerë që ndodhen emigrantë në Kosovë, Maqedoni, Francë, Gjermani, kanë “firmosur” për të marrë ndihmë ekonomike.
Në listë është edhe emri i zonjës Mire Mark Susaj, e cila sipas banorëve të Lekbibajt ka ndërruar jetë muaj me parë.
Por, në dokument rezulton se ka tërhequr para në muajin qershor. Punonjësi i Gjendjes Civile në Lekbibaj thotë se zonja Mire është ç’regjistruar nga Gjendja Civile në datën 1 korrik të vitit 2019.
Gazetarët e Fiks Fare shkuan në varrezat e fshatit, ku rezulton se zonja Mire ka ndërruar jetë në muajin mars të vitit 2018.
Top Channel