Presidenti Trump këmbëngul se Irani dëshiron negociata me SHBA-në

06/09/2019 02:35

Megjithë tensionet e vazhdueshme mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, Presidenti amerikan Donald Trump thotë se është e mundshme një zgjidhje e negociuar me Teheranin.

Ai u tha gazetarëve se Irani “dëshiron të bisedojë” dhe të arrijë një marrëveshje. Komentet vijnë një ditë pasi Presidenti iranian Hassan Rouhani tha se vendi i tij nuk do të negociojë kurrë me Shtetet e Bashkuara, por se mund të merrte në konsideratë bisedime shumëpalëshe, nëse Uashingtoni heq të gjitha sanksionet ndaj Iranit. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Zlatica Hoke, Shtetet e Bashkuara shpallën dje masa të reja kundër Iranit.

Shtetet e Bashkuara njoftuan sanksione të reja ndaj një rrjeti kompanish, anijesh dhe individësh, të cilët thotë se janë të përfshirë në shitjen e karburantit për financimin e aktiviteteve terroriste të Gardës Revolucionare Iraniane. Administrata Trump e ka klasifikuar organizatë terroriste këtë njësi ushtarake iraniane.

“Sot, qeveria e Shteteve të Bashkuara po intensifikon presionin maksimal ndaj Republikës Islamike të Iranit. Pikë së pari, njoftojmë se do të jepet një shpërblim prej 15 milionë dollarësh për çdo person që na ndihmon në ndërprerjen e operacioneve financiare të Gardës Revolucionare dhe të Forcave Qods”, njoftoi Brain Hook, përfaqësues special i Shteteve të Bashkuara për Iranin.

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit u shtuan vitin e kaluar pasi Presidenti Trump braktisi marrëveshjen gjashtëpalëshe bërthamore me Iranin dhe rivendosi sanksione të ashpra ekonomike me qëllim bllokimin e eksportit të karburantit iranian. Presidenti Trump thotë se sanksionet po funksionojnë dhe se mund ta detyrojnë Iranin të rikthehet në tryezën e bisedimeve.

“Po shkatërrohen financiarisht. Inflacioni i tyre ka arritur nivele që njerëzit nuk i kanë parë ndonjëherë. Është një situatë shumë e dhimbshme që mund ta zgjidhin shumë shpejt. Mundemi ta zgjidhim për 24 orë”, tha Presidenti Trump.

Disa analistë thonë se administrata Trump mund t’i ketë bërë llogaritë gabim.

“Mendoj se Presidenti Trump e ka perceptuar gabim Iranin prej vitesh. Është tërhequr shumë nga analogjia mes Iranit dhe Koresë së Veriut. Ndërkohë që për Kim Jong Un-in ishte një fitore në vetvete takimi me Presidentin Trump, për iranianët një takim me Presidentin Trump do të kishte vetëm kosto dhe rreziqe.

Pra, e vetmja mënyrë për të siguruar takimin që ai dëshiron, do të ishte duke parashtruar në tryezë diçka reale që do të balanconte kostot dhe rreziqet për iranianët”, thotë Jarret Blanc, i institutit “Asistenca Kombëtare për Paqen Ndërkombëtare”.

Zoti Blanc i tha Zërit të Amerikës se presioni i shtuar ndaj Iranit që njoftoi të mërkurën Departamenti i Shtetit mund të çojë në konfrontime të mëtejshme në rajon dhe jo në negociata me Iranin.

Zoti Blanc thotë se propozimi francez për t’i ofruar Iranit një hua që do të inkurajonte ekonominë e vendit në shkëmbim të zbatimit të marrëveshjes bërthamore, mund të ulte tensionet. Por, ai thotë se administratës Trump qartësisht nuk i intereson kjo gjë./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA