Policia Rrugore në të gjithë vendin është e angazhuar për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore dhe në njoftim të sajin komunikon se qëllimi i tyre është parandalimi i aksidenteve rrugore, monitorimin e trafikut dhe orientimin e tij, si dhe mbrojtjen e infrastrukturës rrugore.
Deklarata e plotë e Policisë Rrugore:
Policia Rrugore në të gjithë vendin është e angazhuar për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, lehtësimin e lëvizjes në raste fluksi, ardhjes në ndihmë të drejtuesve të automjeteve, turistëve dhe vizitorëve, dhënien e ndihmës këmbësorëve duke ju dhënë përparësi në kalimin në vijat e bardha, por edhe aty ku ato mungojnë. Në këtë kuadër, shërbimi i Policisë Rrugore me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, monitorimin e trafikut dhe orientimin e tij, si dhe mbrojtjen e infrastrukturës rrugore për të gjithë periudhën e sezonit turistik 2019, ka kryer një volum pune me shërbime dhe patrullime në akset rrugore, në gjithë vendin, me orare të shtuara.
Në zbatim të planit të masave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për sezonin turistik 2019, shërbimi i Policisë Rrugore përforcoi me shërbime shtesë akset kryesore të vendit në zonat turistike të qyteteve Sarandë, Vlorë, Durrës, Kavajë, Lezhë dhe Shkodër, ku fluksi i mjeteve dhe turistëve ka qenë tepër i madh, gati trefish në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Janë monitoruar me shërbime patrullimi rrugor për 24 orë akset me fluks të shtuar:
– Tiranë – Fushë Krujë – Lezhë – Shkodër;
– Tiranë – Gjiri i Lalzit – Durrës;
– Vlorë – Dhërmi – Himarë – Sarandë;
– Rruga e Kombit Milot – Morinë;
Shërbimi i Policisë Rrugore në bashkëpunim me Sektorin e Komunikimit me Median ka mbajtur një lidhje të pandërprerë me drejtuesit e mjeteve dhe përdoruesit e rrugës gjatë gjithë sezonit turistik duke dhënë informacion për flukset e trafikut në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit apo rrjetet sociale, si dhe dhënien në kohë reale të njoftimeve nëpërmjet medias televizive dhe radiove kombëtare.
Si rezultat i angazhimit të shërbimeve të Policisë Rrugore, por dhe bashkëpunimit dhe rakordimit të veprimeve me Patrullat e Përgjithshme dhe shërbimet e tjera të angazhuara në terren dhe veçanërisht për sezonin turistik, është bërë e mundur që për periudhën 8 mujore, janar – gusht 2019, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018, të kemi 133 aksidente më pak, 6 jetë më shumë të shpëtuara, 43 të plagosur rëndë dhe 80 të plagosur lehtë më pak.
Duke krahasuar periudhat tremujore të sezonit turistik 2018 dhe të vitit 2019, për periudhën qershor – korrik – gusht 2019, janë 57 aksidente më pak, 4 të vrarë më pak dhe 18 të plagosur rëndë dhe 28 të plagosur lehtë më pak, se e njëjta periudhë e vitit 2018.
Shërbimi i Policisë Rrugore konstaton se ka ndërgjegjësim dhe sjellje më korrekte të drejtuesve të mjeteve gjatë drejtimit të mjetit, por vazhdon të mbetet shqetësues drejtimi i mjetit nën ndikimin e alkoolit, tejkalimi i shpejtësisë, drejtimi i mjeteve nga drejtues të papajisur me leje drejtimi, mospërdorimi i kaskave mbrojtëse nga drejtues motomjetesh dhe përdorimi i celularëve gjatë drejtimit të mjeteve.
Mosrespektimi i sistemeve të sinjalizimit vertikal dhe horizontal vazhdon të “prodhojë” masa administrative për këtë shkelje, kryesisht brenda qendrave të banuara.
Me synimin e vetëm parandalimin e aksidenteve dhe mbrojtjen e jetës së shtetasve për këtë periudhë janë marrë këto masa administrative nga shërbimi i Policisë Rrugore:
• Janë arrestuar për drejtim mjeti në gjendje të dehur 847 shtetas;
• Janë arrestuar për drejtim mjeti pa leje drejtimi 840 shtetas;
• Janë pezulluar 4 538 leje drejtimi për tejkalim shpejtësie, 1 862 për përdorim të alkoolit dhe 1 774 për shkelje të ndryshme;
• Janë ndëshkuar për përdorim celulari gjatë drejtimit të mjetit 39 552 drejtues mjetesh;
• Janë vendosur 52 271 masa administrative për drejtues mjetesh për parakalime të gabuara dhe mosrespektim të mjeteve në kolonën drejtuese;
• Janë ndëshkuar 5 400 drejtues motomjetesh për mosvendosje të kaskës mbrojtëse;
Duke krahasuar periudhat 8 mujore janë vendosur rreth 20 000 masa administrative më pak se e njëjta periudhë 8 mujore e vitit 2018, çka tregon më shumë ndërgjegjësim nga drejtuesit e mjeteve në rrugë në drejtim të zbatimit të rregullave dhe normave të Kodit Rrugor.
Me synim parandalimin efikas të aksidenteve rrugore, shërbimi i Policisë Rrugore do të vijojë kontrollet për konstatimin dhe ndëshkimin e shkeljeve, të cilat bëhen burim ngjarjesh rrugore, në të ardhmen.
Faleminderit!
Shefi i Sektorit për Sigurinë Rrugore në Drejtorinë e Policisë Rrugore, Drejtues Skënder Ismaili
Top Channel