Shiriti i kapitenit është kthyer në një çështje problematike në Kombëtaren zvicerane të futbollit, për më tepër me dy protagonistë shqiptarë.
Mesfushori ofensiv i helvetikëve, Xherdan Shaqiri refuzoi ti përgjigjej thirrjes së përfaqësueses për sfidat e këtij muaji me Irlandën dhe Gjibraltarin, e duket se motivi është shiriti që ndodhet në krahun e Granit Xhakës.
“Nëse ky është me të vërtetë problemi, Shaqiri mund të ketë shiritin e kapitenit. Për mua nuk ka rëndësi nëse e kam shiritin e kapitenit apo jo. Mundohem të kem impakt te ekipi me apo pa këtë shirit”, shprehet Kapiten i Zvicrës, Granit Xhaka.
Arsyeja zyrtare e bojkotit të Shaqirit ishte fokusi te Liverpul, por kjo tezë ka rënë poshtë edhe për faktin se mesfushori po konsiderohet shumë pak te kampionët e Europës.
Jo zyrtarisht, Shaqiri është i pakënaqur me konsideratën e trajnerit Petkovic, dhe shiriti i kapitenit ishte ajo që solli dhe krisjen finale.
Granit Xhaka konsiderohet një zgjatim në fushë i trajnerit të Zvicrës ndërsa Shaqiri ka lirinë taktike por nuk ka kontakt personal me teknikun.
Top Channel