Kina propozon një monedhë të re digjitale, të ngjashme me Libra-n e Facebokut që do të mund të përdoret në platformat kryesore të pagesave si WeChat dhe Alipay.
Njoftimin e bëri një zyrtar i lartë i bankës qendrore kineze, Mu Changchun, sipas të cilit zhvillimi i kësaj monedhe do të ndihmonte në mbrojtjen e sovranitetit të këmbimit valutor të vendit. Sipas zëvendës-drejtorit te departamentit të pagesave në Bankën Popullore të Kinës monedha digjitale do të jetë po aq e sigurt, sa ato aktuale, dhe do të mund të përdoret edhe pa një lidhje interneti. Në qershor, kompania Facebook ka zbuluar planet për të lëshuar në qarkullim, vitin e ardhshëm, një monedhë të re digjitale, të quajtur Libra.
Facebook tha se njerëzit do të ishin në gjendje të bëjnë pagesa me monedhën përmes aplikacioneve të tyre, si dhe shërbimit të mesazheve WhatsApp. Por planet ambicioze të gjigantit të rrjeteve sociale lidhur me një kriptomonedhë të re globale, shkaktuan edhe shqetësime për privatësinë.
Facebook është lidhur me 28 partnerë, si Mastercard, PayPal dhe Uber për të formuar Shoqatën Libra, një entitet me qendër në Gjenevë që administron monedhën e re dixhitale. Asnjë bankë nuk është ende pjesë e këtij grupi.
Top Channel