Kombëtarja shqiptare shpresa U21 është gjunjëzuar 4-0 në miqësoren e zhvilluar në Amiens të Francës. Kuqezinjtë rezistuan deri në minutën e 43-të kur mbrojta shkaktoi një 11-metërsh me të cilin u zhbllokua edhe rezultati. Në pjesën e dytë kanë tentuar të rezistojnë përballë ‘gjelave’ djemtë e Alban Bushit, por gjithçka mbeti me shifrat 1-0 deri në minutën e 78-të.
Eduardo shënoi golin e dytë në atë minutë dhe të tretin në minutën e 89, ndërsa në shtesë është Zagadu ai që shënon golin e katërt, duke e detyruar portierin Selmani të nxjerrë sërish topin nga rrjeta. Kjo ishte një miqësore luksi që dhe vetë trajneri Alban Bushi e kish theksuar më parë që nuk ishte në momentin e duhur dhe që pak i vlente për ndeshjen zyrtare që kuqezinjtë e vegjël do të duhet të luajnë përball Austrisë. Kjo është ndeshje e cila do të jetë e vlefshme për eliminatore e kampionatit europian.
Ndeshja mes Shqipërisë dhe Austrisë për moshat 21-vjeçare do të zhvillohet më 9 shtator në stadiumin “Niko Dovana” të qytetit të Durrësit në orën 16:00. Në këtë ndeshje duhet medoemos fitorja që kuqezinjtë të shpresojnë ende në një kualifikim të mundshëm, në të kundërt, humbasin shpresat për kalimin e fazës së grupeve. Shqipëria ndodhet në grupin e tretë së bashku me Kosovën, Turqin, Austrin, Andorrën dhe Anglinë dhe deri më tani ka zhvilluar 3 ndeshje dhe ka dy pikë për shkak të dy barazimeve dhe një humbjeje.
Top Channel