Një taksist ka përfunduar pre e grabitësve dhe pengmarrjes në lokalin ku kishte shkuar për të pirë kafe në Elbasan. Burime nga policia raportojnë se shtetasi A.V., kishte shkuar për të pushuar në një lokal që ndodhet në fshatin Katund i Ri.

Përgjegjësi i lokalit dhe shoku i tij, konstatojnë se taksisti kishte me vete një sasi të konsiderueshme parash. Kaq ka mjaftuar që ata të planifikojnë grabitjen. Autorët e dyshuar të krimit, i kanë marrë një shumë prej 2000 eurosh dhe e kanë mbajtur peng për disa orë, duke ushtruar edhe dhunë ndaj tij. Pengmarrja është bërë që t’i shkaktojnë frikë taksistit, në mënyrë që ai të mos e denonconte rastin në polici.

Pasi e kanë lënë të lirë, taksisti i është drejtuar Policisë së Elbasanit për të bërë denoncimin.  Ai ka treguar me detaje gjithçka që kishte ngjarë. Pas marrjes së dëshmisë, policia nisi punën për identifikimin dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Mësohet se shtetasit Th. B., 33 vjeç, përgjegjës i lokalit dhe E.S., 42 vjeç, shoku i tij, janë arrestuar.

Gjithashtu po në vijim hetimeve, u arrestuan në flagrancë për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësor”, shtetasit E. I., 20 vjeç dhe E.Gj., 20 vjeç, ( kamerierët e lokalit), të dy banues në fshatin Katund i Ri, Elbasan. Materialet i kaluan Prokurorisë Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA