Zelanda e Re po përballet me një epidemi masive fruthi, prej të cilës 1000 raste janë konfirmuar deri më tani.
Shifrat i bëri publike ministria vendase e Shëndetësisë, që sqaroi se ato janë regjistruar nga periudha 1 janar deri në 5 shtator. Sëmundja jashtëzakonisht ngjitëse dhe potencialisht vdekjeprurëse, është rikthyer me forcë në disa vende të zhvilluara, pavarësisht vaksinimit efikas dhe të disponueshëm.
“Ne të gjithë globin, numri i rasteve është katërfishuar gjatë tre muajve të parë të 2019-ës në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”, thotë OBSH.
Në Zelandën e Re, shpërthimi i sëmundjes është përqendruar kryesisht në qytetin më të madh të vendit, Auckland, ku janë konfirmuar 877 raste.
Zyrtaret e Shëndetësisë lëshuan një deklaratë përmes të cilës bënin thirrje për vaksinimin e çdo personi nga mosha 1 deri në 50 vjeç, nëse nuk është vaksinuar. Drejtuesja e Qendrës Këshillimore të Imunizimit, doktoresha Nikki Turner e cilësoi mjaft gjendjen mjaft shqetësuese, por edhe të trishtë dhe zhgënjyese, sepse sipas saj e gjithë kjo situatë ishte e parashikueshme dhe mund të parandalohej.
Top Channel