Nisin sot seritë e ndeshjeve të radhës së kualifikueseve të Euro 2020.
Vëmendja më e madhe për sfidat e radhës së kualifikueseve do të jetë te ajo që konsiderohet si klasikja e futbollit evropian mes Gjermanisë dhe Holandës.
Në 12 muajt e fundit këto skuadra janë përballur 3 herë duke shënuar në total 12 gola që tregon spektaklin e dhuruar prej këtyre dy skuadrave.
Gjermania ka fituar ndeshjen e parë me Holandën në këto kualifikuese dhe nëse triumfon edhe në Berlin, atëherë i afrohet gjithnjë e më shumë kualifikimit për në fazën finale. Ndërkaq sot në mbrëmje Spanja do të luajë ndaj Rumanisë.
La Roja kryeson në Grupin F me 12 pikë të plota pas 4 ndeshjeve dhe po shkon drejt kualifikimit për në fazën finale të Euro 2020, kështu që në këtë grup do të bëhet garë për vendin e dytë.
Kampionët e Evropës dhe të Nations League, Portugalia do të luaj ndaj Serbisë. Skuadra luzitane për momentin ndodhet në pozita të vështira pasi është e parafundit në Grupin B me 2 pikë të fituara në 2 ndeshje të luajtura kështu që fitorja është një detyrim për të. Anglia që është në një grup me Kosovën, do të luajë me Bullgarinë me trajnerin Gareth Southgate që ka përfshirë shumë emra të rinj një skuadër.
Në fushën e lojës do të zbresë edhe Zvicra që do të presë Gjibraltarin një ndeshje kjo e lehtë në letër për skuadrën helvete. Në dispozicion të Vladimir Petkovic nuk do të jetë Xherdan Shaqiri i cili vendosi që të shkëputet për pak kohë nga përfaqësuesja zvicerane për t’u fokusuar te ndeshjet e Liverpoolit, megjithatë në sfidat e ardhshme do të jetë padyshim Granit Xhaka.
Emocionet e këtyre ndeshjeve ashtu si edhe ato të përfaqësueses sonë dhe të Kosovës, do të keni mundësinë t’i ndiqni drejtpërdrejtë dhe ekskluzivisht në paketën Supersport të platformës Digitalb.
Top Channel