“Buqeta e tulipanëve”, një skulpturë gjigante nga artisti amerikan Jeff Koons, po përgatitet të vendoset në një park pranë Elizesë mes polemikash të shumta.
Koons e krijoi veprën 10 metra të larta pas sulmeve terroriste të 2015-tës dhe ia dhuroi kryeqytetit francez. Por skulptura që tregon një dorë duke shtrënguar një tufë tulipanësh nuk i vjen për shtat shijeve të gjithkujt.
Artistë, shkrimtarë e filozofë kanë shprehur rezervat e tyre mbi këtë projekt dhe koston e mirëmbajtjes së tij. Një prej zyrtarëve përgjegjës për kulturën në Paris, Christophe Girard, thotë megjithatë se mbërritja e skulpturës së bronztë është e mirëpritur.
“Vendosja e skulpturës do të realizohet përfundimisht pas fazës aktuale të transportimit, pra rreth fundit të shtatorit me qëllimin që inaugurimi të bëhet me rastin e Natës së Bardhë, me të hyrë muaji tetor. Ky është një moment mjaft i bukur për Parisin, që kapërcen edhe polemikat të cilat e kanë rrethuar mbërritjen e kësaj vepre”, shprehet Girard.
Koons shkakton rregullisht debate me krijimet e tij e është gjendur nën akuza edhe për komercializim të tepruar të artit kontemporan.
Statuja e tij prej çeliku “Lepurushi” u shit në muajin maj për 9,1 milionë dollarë, në shtëpinë e ankandeve Christie`s në New York, një shumë rekord kjo për një artist që është ende ne jetë.
Irida Vasia
Top Channel