Koalicioni qeveritar i Italisë bëri betimin në Presidencë në mesin e dyshimeve që rrethojnë jetëgjatësinë e tij.
Kriza që mundoi vendin për dy javë pas përpjekjes së Salvinit për të marrë pushtetin duke rrëzuar koalicionin me “5 Yjet”, mori zgjidhje me krijimin e një qeverie të re mes Lëvizjes Populiste dhe Demokratëve të majtë.
Conte, me në dorë një mandatë të dytë në krye të ekzekutivit, i prezantoi presidentit Sergio Matarella emrat e ministrave të rinj, si dhe programin e qeverisë që do të përballet më së pari me çështjen e buxhetit 2020, i cili duhet të paraqitet në parlament deri në fund të shtatorit.
Ky është kabineti më i ri në historinë e Italisë së pasluftës, me moshën mesatare të anëtarëve të tij që llogaritet tek 47 vjeç.
Ai gjithashtu ka më shumë ministra nga jugu, më pak i favorizuar i vendit sesa nga veriu i pasur.
Nga 21 Ministra, 9 janë nga PD, 10 nga “5 Yjet”, dhe dy nga parti të vogla. Vendin e Salvinit në krye të Ministrisë së Brendshme e merr një ish shefe sigurie në Milano, Luciana Lamorgese, një prej themeluesve të PD, Roberto Gualtieri shkon në krye të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, vetë di Maios i kalon portofoli i Ministrisë së Jashtme.
Bashkimi i dy partive ish rivale pritet të distancohet nga politikat e vijës së ashpër mbi emigracionin që ndodhi lega e Matteo Salvinit. Por fakti që bëhet fjalë për dy ish armiq të mëdhenj, lëvizjen “5 Yjet” dhe Partinë Demokratike të qendrës së majtë që deri vonë kanë qenë në antagonizëm të thellë me njëri tjetrin, ka bërë që afrimi tyre të shihet me skepticizëm.
Nëse koalicioni dështon, të dyja këto forca politike do të ndëshkoheshin me zgjedhje të reja që do të favorizonin Salvinin dhe partinë e tij.
Irida Vasia
Top Channel