Brexit/ Jonhson pëson tjetër disfatë, Britania nuk shkëputet pa marrëveshje

05/09/2019 00:32

Kryeministri britanik Boris Johnson pësoi një tjetër disfatë të mërkurën, kur ligjvënësit britanikë të partisë së tij dhe të opozitës miratuan një projektligj që e ndalon planin e tij për shkëputje nga Bashkimi Evropian muajin tjetër pa një marrëveshje.

Dhoma e Komuneve miratoi me 329 vota pro dhe 300 kundër një projekt-ligj që mund të vonojë shkëputjen nga BE-ja për tre muaj në mënyrë që të arrihet një marrëveshje e re mbi kushtet e ndarjes.

Projektligji kalon tani në Dhomën e Lordëve ku pritet të përballet me taktika vonuese. Deputetët pro-Brexitit janë betuar të përdorin manovra proceduriale për ta bllokuar miratimin e masës ligjore me fjalime të gjata deri sa të skadojë afati i miratimit.

Kryeministri Johnson thotë se Britania duhet të shkëputet nga BE më 31 tetor, me ose pa marrëveshje. Ai i bëri thirrje udhëheqësit të laburistëve të opozitës, Jeremy Corbin të mbështesë një propozim për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme më 15 tetor.

Të mërkurën, më herët, Kryeministri britanik Boris Johnson tha para parlamentit se nuk ka alternativë tjetër, përveçse të zhvillojë zgjedhje të reja pasi një grup ligjvënësish ia morën situatën nga duart lidhur me Brexitin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA