Ditën e djeshme nënshkroi kontratën një vjeçare me Torinon, duke vulosur kështu rikthimin në Serinë A, ndërsa sot Samir Ujkani ishte në konferencë për shtyp nga qendra e grumbullimit të Përfaqësueses së Kosovës, në prag të eliminatoreve ndaj Çekisë dhe Anglisë.

Luani dy ndeshje shumë të rëndësishme, por së pari presim Çekinë. Çfarë pret nga ky takim?
Ka për të qenë një ndeshje shumë e vështirë, pasi Çekia besoj se është kundërshtari më i fortë pas Anglisë dhe e kemi konkurrent për vendin e dytë. Ne duhet të përqendrohemi te loja jonë dhe të çojmë përpara rezultatet pozitive të muajve të fundit. Duhet të dëgjojmë trajnerin dhe të përgatitim strategjinë për të dalë fitues.

Keni shumë mungesa për këto ndeshje. A besoni te emrat që do t’i zëvendësojnë?
Kjo skuadër u krijua me shumë talente para 3-4 vitesh dhe me kalimin e kohës jemi rritur të gjithë shumë. Dikur na mungonte Valon Berisha, por të gjithë që luajtën e zëvendësuan mjaft mirë. Tani kemi mungesa të tjera, por të gjithë futbollistët që janë këtu, janë gati të bëjnë më të mirën për të marrë rezultat të mirë dhe për të mbajtur gjallë ëndrrën për kualifikim.

Keni nënshkruar për një sezon me Torinon…
Jam shumë i kënaqur që jam rikthyer në Itali dhe mbi të gjitha në Serinë A, me një skuadër shumë të madhe, me një tifozëri të zjarrtë. Falënderoj trajnerin dhe presidentin e ekipit dhe tani do të përqendrohem të bëj më të mirën, për të shpërblyer besimin.

Keni qenë pa ekip për disa muaj. A jeni i gatshëm për këto dy ndeshje?
Nëse nuk do isha i gatshëm, nuk do vija fare këtu. Jam profesionist dhe ndonëse prisha kontratën me Rizesportin, kam vazhduar stërvitjen për të mbajtur ritmin dhe kjo u shfaq edhe në testet me Torinon. Jam gati, por se kush luan do vendosë trajneri, Rëndësi ka që të marrim fitoren./Supersport.al

 

Top Channel