Kryetari i Komisionit parlamentar për Zgjedhje dhe Emërime të Maqedonisë së Veriut, Ilija Dimovski kërkon që raporti i Këshillit të Prokurorëve në të cilin kërkohet shkarkimi i kryeprokurores speciale Katica Janeva, të deklasifikohet.
Kërkesën e tij Dimovski do ta adresojë në Këshillin e Prokurorëve, si organ i autorizuar në këtë rast për deklasifikim. Nëse mbledhja do të jetë e hapur ose e mbyllur, këtë do ta vendos komisioni me 2/3 e votave nga numri i anëtarëve.
“Ky dokument në Kuvend nuk është dërguar si i klasifikuar, por është klasifikuar një ditë më pas. Shpresoj që Këshilli i Prokurorëve do ta shqyrtojë këtë sepse unë respektoj faktin se duhet pasur kujdes ndaj procedurave penale kundër prokurores speciale, por duhet ta dimë se në këtë rast nuk bëhet fjalë për temë e cila i cenon liritë dhe të drejtat e njeriut. Ka interes të madh publik për këtë problem dhe absolutisht publiku duhet të marr pjesë”, theksoi Dimovski.
Dimovski do të kërkojë nga kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi që ta njoftojë se cilat janë katër partitë më të mëdha politike në Kuvend, me qëllim që për shkarkimin e Janevas të ketë konsensus paraprak.
Duke mos shpalosur detaje, Dimovski shton se në raport ka elemente të mjaftueshme që komisioni të konstatojë shkarkimin e Janevas.
“Nga ajo që kam arritur të shoh, ka elemente të mjaftueshme që Kuvendi të sjell vendim për shkarkim. Më shumë nuk mund të flas sepse duhet ta ruaj sekretin, por shihet qartë se ka elemente”, vijoi Dimovski.
10 nga 13 anëtarë e Komisionit për zgjedhje dhe emërime kanë certifikata të sigurisë. Situata e njëjtë është edhe me zëvendës anëtarët gjë që i mundëson Komisionit kushte të plota për punë.
Dimovski i bëri thirrje të gjithë deputetëve që kanë certifikata sigurisë dhe që duan të marrin pjesë në debatin mbi raportin, të paraqiten për pjesëmarrje.
Më 30 gusht, mbi bazën e dyshimeve për punë jo profesionale dhe jo etike, Këshilli i Prokurorëve kërkoi nga Kuvendi që të shkarkohet e para e Speciales, Katica Janeva si e dyshuar në rastin “Reket”.
Në rast se Komisioni konkludon shkarkimin e saj, Kuvendi thërret seancë plenare në të cilën për të shkarkuar Janevan nevojiten 2/3 e votave./KosovaPress
Top Channel