Stefano Sensi është një nga emrat e afruar këtë verë te Interi, por që me paraqitjet e tij në miqësoret e verës dhe në dy javët e para, ka arritur të bindë edhe më skeptikët dhe të fitojë një vend në formacionin e Antonio Contes.
I ardhur pa shumë bujë te zikaltrit, mesfushori shtatshkurtër tregoi menjëherë teknikën e lartë që disponon, teksa në javën e parë shënoi një gol ndaj Lecces, ndërsa në javën e dytë asistoi golin e parë dhe fitoi penalltinë që solli golin e dytë për Interin.
Aktualisht Sensi është i grumbulluar me kombëtaren e Italisë, teksa në një intervistë të dhënë për mediat italiane pranoi se kalimi te Interi është një ëndërr e realizuar të cilën po e përjeton me qetësi.
“Kalimi te Interi ishte një ëndërr për mua, të cilën po e jetoj me qetësi dhe ambicie të mëdha. Duhet të falënderoj shoqërinë, trajnerin dhe shokët e skuadrës, të cilët besojnë shumë te unë dhe kjo më ndihmon të punoj me qetësi”, deklaroi futbollisti.
Sensi nuk i kurseu lavdet për trajnerin e tij te zikaltrit, Antopnio Conte, ndërsa komentoi edhe rivalitetin me mikun e tij te Interi e Italia, Nicolo Barrela, i cili gjithashtu iu bashkua ekipit milanez këtë verë.
“Conte ka një mentalitet fituesi, të cilin po na e transmeton të gjithëve. Me Barellan jemi miq të mirë, ndonëse duke qenë se luajmë në të njëjtin rol, ka edhe rivalitet. Megjithatë gjithçka e përjetojmë në mënyrë normale dhe punojmë për të bërë më të mirën, pasi janë trajnerët ata që marrin vendimet në fund”, deklaroi Sensi.
Top Channel