Votimi online i anëtarëve të lëvizjes “5 Yjet” i dha dritën jeshile krijimit të koalicionit të Lëvizjes Populiste me ish rivalët e mëdhenj, demokratët e qendrës së majtë.
110 mijë anëtarë të “5 Yjeve” iu kërkua të votonin në internet përmes të ashtuquajturës platforma “Rousseau” e shumica e tyre, dhe i dhanë dritën jeshile formimit të qeverisë nën drejtimin e Giuseppe Contes.
Dy ish kundërshtarët e kishin arritur mes tyre marrëveshjen, dhe kishin rënë dakort në parim mbi programin prej 26 pikash për të qeverisur Italinë, por përpara se të firmoste, Luigi di Maio kërkoi më parë mbështetjen e bazës.
Duke përdorur platformën kontroverse “Rousseau”, 79,634 anëtare të “5 Yjeve” morën pjesë në votim, një numër rekord ky, dhe 79.3% e mbështetën koalicionin me PD-në të drejtuar nga profesori i pavarur i jursiprudencës.
Italia në këtë mënyrë shmang zgjedhjet e parakohshme që i vinin për shtat Salvinit, dhe kriza politike mund të konsiderohet e mbyllur. brenda ditës së mërkurë, Conte pritet t`i paraqesë presidentit Sergio Matarella programin e qeverisë.
Salvini reagoi me mosbesim ndaj zhvillimeve të reja të cilat e lënë atë jashtë ekzekutivit.
“Dua të shoh emrat e Ministrave; dua të shoh këto fytyrat e reja, këto emrat e mëdhenj, nga PD dhe “5 Yjet”, këta njerëzit që i intereson kaq shumë e ardhmja e Italisë, mirëqenia e italianëve, dhe jo vetëm karriget ministrore, ato idealet e mëdha, jo jo, atyre nuk i interesojnë vetëm karriget e ministrave…jo, nuk ka për të zgjatur shumë. ne do të jemi këtu, do të jemi vigjilentë; këtu jashtë parlamentit ku do të jeni ju, do të jem edhe unë”, shprehet Salvini.
Disa emra në fakt kanë dalë, ndonëse lista do të jetë përfundimtare kur Conte ta dërgojë në presidencë. “Corriere Della Sera” thotë se Ministria e Jashtme i shkon vetë di Miaos, Lorenzo Guerini merr portofolin e asaj të mbrojtjes dhe shëndetësia mund ti besohet sërish Giulia Grillos.
Irida Vasia
Top Channel