Milani largoi disa futbollistë gjatë merkatos së kësaj vere, por vetëm pak prej tyre i shiti, ose i përfshiu në marrëveshje shkëmbimi me emra të tjerë, siç ishte rasti i Andre Silvës me Ante Rebiç në ditën e fundit të merkatos.
Disa prej të larguarve, janë dhënë në huazim në klube të ndryshme, por me të paktën 6 prej futbollistëve, kuqezinjtë kanë vendosur të ndërpresin ose të mos rinovojnë kontratën, duke i lënë të lirë.
E megjithëse në situatë të tillë, nga 6, vetëm një prej tyre ka arritur të sigurojë një kontratë dhe ai është mbrojtësi kolumbian 32-vjeçar, Cristian Zapata që iu bashkua skuadrës së Genoas.
Të gjithë emrat e tjerë, duke filluar nga ish kapiteni Ricardo Montolivo, te Jose Mauri, Ignazio Abate, Andrea Bertolacci apo Ivan Strinic, ndonëse janë të gjithë futbollistë të lirë, nuk kanë bindur asnjë klub për të nënshkruar për sezonin e ardhshëm.
Natyrisht që kjo situatë i jep të drejtë edhe njëherë trajnerit Genaro Gattuso, që i linte në stol, apo shpeshherë edhe në tribunë emra të tillë, duke qenë se nuk e bindnin me paraqitjet në fushë.
Po të analizohet më me detaje lista e futbollistëve që ende nuk e kanë gjetur një skuadër për sezonin e ri, aty janë edhe 6 emra të tjerë që kanë veshur fanellën e Milanit më herët, të tillë si Menez, Honda, Silvestre, Gourcuff, Paletta dhe Flamini./Supersport.al
Top Channel