Incidentet në përballjen e zhvilluar mes Vllaznisë dhe Tiranës në kategorinë Superiore, ishin në fokusin e komisionit të Disiplinës këtë mesjavë, me vendimet që godasin rëndë klubin shkodran.
Për shkak të sjelljes antisportive gjatë derbit të Shqipërisë, por gjithashtu dhe dhunën pas fërshëllimës finale, ekipi shkodran është dënuar me 4 ndeshje pa tifozë.
Tirana arriti të fitojë 0-2 përballjen me kuqeblutë në stadiumin Loro Borici, por mbështetësit vendas në një moment shkaktuan ndërprerjen e sfidës pasi hodhën sende të forta në fushë.
U godit gjithashtu autobusi i skuadrës së Tiranës dhe u thyen xhamat. Si një masë shtrënguese për të mos përsëritur më incidente të tilla në këtë fushë, disiplina ka vendosur ngrirjen e gjysmës së dënimit për një periudhë 6 mujore, që do të zbatohet në rast të ngjarjeve të ngjashme.
Ndërkohë lojtarit të “Kukësit”, Olsi Teqja i kanë kushtuar shtrenjtë kritikat ndaj arbitrit në përballjen ndaj Lacit, veprime për të cilat ai është dënuar me 2 ndeshje.
Klara Asqeriu
Top Channel