Nesër në orën 14:00 Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do pyesë ekspertin që bëri raportin e verifikimit për Zhaklina Peton.
Ndërkohë për rastin e kësaj të fundit KED, e ndaloi nga gara për në Gjykatën Kushtetuese.
Ndërkohë që Gjykata e Apelit Administrativ kërkon t’i hapet edhe një herë vlerësimi i kësaj kandidateje.
Në vendimin që Top Channel disponon thuhet se rezulton e provuar që kandidatja për në Gjykatën Kushtetuese, Zhaklina Peto nuk është njoftuar nga KED për kohën dhe zhvillimin e mbledhjes, së bashku me relacionin e përgatitur ndaj saj.
Në fakt sikundër përmendet më tej edhe pala e paditur pra Këshilli e ka pranuar këtë fakt duke e lidhur me ngarkesën e madhe.
Siç kuptohet vendimi i KED që e ndalon Peton për në garën drejt kushtetueses është kryer për kriterin e pasurisë.
Nga ana tjetër në vendimin e Gjykatës së Apelit përmendet se janë bashkuar dy padi të kërkueses Zhaklina Peto, nga njëri prej të cilëve ajo ka hequr dorë gjatë gjykimit.
Gjykata e Apelit shton se në kushtet kur KED vepron si organ kolegjial është në diskrecionin e tij marrja e vendimit të lejimit për kandidim.
Ndaj ky vendim i KED që e ndalon nga gara profesoreshën e juridikut rikthehet i shfuqizuar pranë të njëjtit institucion.
Top Channel