“Nuk jeni engjëll, ashtu siç doni të dukeni me fjalët e bukura para kolegëve të Evropës.” Kështu iu drejtua Behgjet Pacolli homologut Ivica Daçiç gjatë samiti të Gymnich në Helsinki pak ditë më parë, duke denoncuar sjelljen me “dy fytyra”, sipas tij, të kryediplomatit serb.
Por të njejtën sjellje Daçiç e ka shfaqur sot edhe në Forumin e Bled-it në Slloveni, ku në panel ishte i pranishëm edhe Matthew Palmer, i ngarkuari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.
Në prani të Pacollit dhe homologëve nga shtetet e tjera të rajonit, Ivica Daçiç nuk ngurroi të fliste për një vëllazëri midis popujve të Ballkanit. Ai madje deklaroi se Serbia po mbështet liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
“Serbia po mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën dhe ne gjithashtu po mbështesim edhe nisjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Kemi nevojë për më shumë solidaritet në Ballkanin Perëndimor. Nuk ka rëndësi kush jemi, duhet të them që jemi vëllezër”, është shprehur Daçiç.
Por pavarësisht sjelljes së treguar në Slloveni, Ivica Daçiç është prej kohësh në krye të fushatës diplomatike që synon tërheqjen e njohjeve nga shtetet e tjera për Republikën e Kosovës.
Ndërkohë, Matthew Palmer ka zhvilluar takime të ndara me të gjithë ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, që marrin pjesë në takimin ndërkombëtar.
Top Channel