Milani po shfrytëzon orët e fundit të merkatos, për të kompletuar organikën e trajnerit Giampaolo dhe mbrëmjen e djeshme u mbyll me sukses një operacion shkëmbimi me gjermanët e Eintrachtit të Frankfurtit.

Kështu në Milano mbërriti sulmuesi kroat Ante Rebiç, i cili do të jetë i huazuar për dy sezone, me të drejtën e blerjes nga ana e kuqezinjve, ndërsa me të njëjtën formulë, në Frankfurt u transferua sulmuesi portugez Andre Silva.

Kroati Rebiç mbërriti mbrëmjen e djeshme në Malpensa dhe sot po kryen vizitat mjekësore, para se të firmosë një kontratë dy vjeçare me 2.5 milionë euro në sezon, me skuadrën e Milanit, por merkatoja e kuqezinjve nuk mbyllet këtu.

Maldini e Massara pritet të bëjnë sot edhe një tentativë të fundit për të afruar brazilianin e Shakhtar Donetskut, Taison, për të cilin ukrainasit kërkojnë 30 milionë euro, por kuqezinjtë shpresojnë ta “rrëmbejnë” për rreth 20.

Armiku i vetëm i kësaj negociate është koha, megjithatë kuqezinjtë shpresojnë që Shakhtari të pranojë të ulë çmimin e brazilianit, për shkak edhe të moshës së tij, që pas pak muajsh do të mbushë 31 vjeç.

Top Channel