Partizani merr fitoren e dytë radhazi në kampionat dhe lë në kuotën 0 Flamurtarin e problemeve të shumta, ndërkohë Skënderbeu bëri harakiri duke pësuar disfatën e parë dhe duke humbur mundësinë për të kryesuar Kategorinë Superiore pas javës së 3-të.

Skuadra e Ilir Dajës u turpërua nga Bylis brenda në Korçë pasi u mposht nga ballshiotët me rezultatin e thellë 0-3, me skuadrën e trajnerit Dovedan që regjistroi fitoren e parë në këtë sezon. Për t’u rikthyer te sfida mes Partizanit dhe Flamurtarit, mjaftoi goli i parë i Solomon me fanellën e kuqe që skuadra e Franco Lerda të ngjitej në kuotën e 6 pikëve po sa Skënderbeu dhe 1 më pak se treshja kryesuese Tirana-Kukësi-Teuta.

Në minutën e 23-të Solomon i rikthyer nga pezullimi gjeti devijimin fitues pas një harkimi të Trashit duke i dhënë epërsinë Partizanit. Por sulmuesi nigerian ish-lojtari i Partizanit të Beogradit në pak minuta u kthye nga ëngjëll në djall sepse u ndëshkua me karton të kuq pasi goditi me taka në fytyrë Deliajn dhe gjyqtari Ziri nuk e fali duke e dërguar para kohe në dhomat e zhveshjes. Megjithatë edhe me 10 lojtarë, Partizanit adminstroi rezultatin deri në fund duke marrë tre pikë me shumë vlera. Me 10 lojtarë e mbyllën ndeshjen edhe vlonjatët pasi Zeqaj në minutën e 88-të mori kartonin e dytë të verdhë.

Ndërkohë në Korçë Bylis ishte shumë  më lart se Skënderbeu duke mposhtur lehtësisht skuadrën e Ilir Dajës dhe duke marrë fitoren e parë në këtë kampionat. Golat për ballshiotët u shënuan nga Peposhi në minutën e 11-të, Guindo në fundin e pjesës së parë dhe portieri veteran Isli Hidi me penallti në minutën e 61-të./supersport.al

Top Channel