Kjo është padyshim taksia më e veçantë që mund të keni udhëtuar ndonjëherë në kryeqytet. Me Arjanin që është i apasionuar pas këngëve të Elvis Presley.
“Unë e kam emrin Arjan Kumria, po që të gjithë më thërrasin Elvis. Vetëm nga taksia, nga mënyra se si e kam arreduar taksinë. Edhe e dinë që jam fans i çmendur dhe gjithmonë më pyesin hë cfarë ke bërë ndonjë gjë të re, ke vënë ndonjë disk të bukur?- thotë Arjan Kumria.
Për më shumë së 3 vjet në rrugët e Tiranës taksisti juaj mund të jetë Elvis Presley shqiptar, me një arredim krejt ndryshe nga taksitë e tjera, të kthyer siç thotë 53 vjeçari, në një fun club. Lëvizja me pasatin e tij artistik nuk do të jetë, ua siguroj, aspak e mërzitshme.
“Kjo taksi ka gati 3 vjet që është ideuar , më ka ardhur krejt natyrshëm sepse ndërkohë mbanim reklamat e firmave të ndryshme që i reklamonim nëpër taksi. Dhe thashë pse mos të vendos Elvisin? Sepse Elvis Presley-n e kam pasur prej vitesh kudo, fotot e tij kanë qenë në të gjithë shtëpinë time, nëpër bufe, krevat, tavolinë. Në makina kaseta, disqe bluze orë, relika të ndryshme të Elvis Presley. Më ka sjell fat, edhe në punë. Dal në punë duke kënduar, dhe këndoj duke punuar me taksinë e Elvis Presley”- shprehet Kumria.
Megjithatë, jo kushdo mund të jetë pasagjeri i Arjanit. Nuk mund të hipësh në taksinë e tij po të mos kesh dëgjuar të paktën një këngë të Elvis Presley-t.
“Klientët janë dëgjues të Elvis Presley, vijnë apostafat për të dëgjuar këngët e tij. Sa kushton të udhëtosh me një taksi dedikuar Elvis Preslyt?
Çmimet i kam njësoj si të tregut. Nuk është se përfshij atë pjesën shtesë, muzikën dmth. Pastaj ka njerëz që më kanë lënë dhe bakshishe. Sa bën? 3 mijë, urdhëro 5 i ke nga Elvisi. Ben 10 urdhëro 20 i ke nga Elvisi. Më kanë lënë dhe 50 euro dhe 100 euro. Kryesisht të huaj kanë qenë që mi kanë lënë për kënaqësi”- përfundon taksisti.
Top Channel