Sulmuesi i Tiranës, Grent Halili është një nga emrat surprizë në këtë fillim sezoni të bardhebluve, pasi përveçse ka marrë një fanellë titullari, por e nderon atë me paraqitje mjaft të mira dhe me dy gola të shënuar në tre javët e para.

Halili ishte i ftuar në një lidhje direkte me emisionin “Zona Gol” në Supersport, ku foli për momentin e mirë, synimet e bardhebluve, por edhe ndikimin e faktit që babai i tij është president te klubi i Tiranës.

Dy gola në 3 ndeshje, a e prisnit një start të tillë të kampionatit?
E prisja një nisje të tillë, pasi të gjithë kemi synime të bëjmë sa më mirë për ekipin, por jo duke shënuar dy gola në tre ndeshje. Kam dashur gjithmonë të marr sa më shumë minuta. Nga ana e ekipit, jemi shumë mirë. Me Teutën ishte një ekip që na vuri në vështirësi. Do jetë një kampionat i vështirë dhe besoj se 7 pikë janë mirë për ne, edhe pse i qajmë ato 2 pikë me Durrësin. Eksperienca ka treguar që pikët e fillimit i qan çdo ekip.

Cili është pozicioni i preferuar në fushë?
Unë e shoh veten më mirë sulmues i majtë, sepse aty kam luajtur gjithmonë, por duhet t’i përshtatem çdo roli. E bëj edhe krahun e djathtë, edhe sulmuesin qendror. Se me kë e ndjej veten më mirë afër, nuk dua të përmend emra. Grupi është ajo që na bën më të mirë. Me Ngonë ndihem mirë, sepse kemi 2 vite që luajmë bashkë. Kale ka ardhur dhe është integruar shumë shpejt, më ka ndihmuar shumë, si ai, edhe të gjithë lojtarët më kanë ndihmuar. Edhe me Ngonë jam mirë, por edhe me Dungën.

Sa peshon fakti që babai juaj është president i ekipit?
Mund të duket si justifikim, por them se ndikon fakti i babait. Unë jam 21 vjeç dhe presioni është i madh. Kushdo që do ishte si unë, nuk do përballonte këtë presion. Fillon që nga një top i humbur. Gjykohem më tepër se dikush tjetër, për një top të humbur. Gjithsesi, unë jam mësuar me kritikët, me sulmet edhe jashtë fushe, por me punë shumë do vazhdoj të çojmë këtë klub sa më para. Edhe tifozët janë një ndihmë e madhe për ne. Na ndihmojnë shumë, edhe në Shkodër ishin të shumtë. Do ecim më para me ato pranë nesh.

Si i komentoni ato tensione në Shkodër?
Më vjen keq për tensionet, sepse dihet që Shkodra është një qytet mikpritës. Nuk i shkon Shkodrës ky gjest, por këto gjëra ndodhin brenda fushe. Për sa i përket incidentit në autobus, ai kaloi edhe nuk pati rrezik, por them që nuk duhet të ndodhin, duhet të jemi fair-play.

Dy sezone më parë, nga ai stadium u vulos rënia juaj nga kategoria…
Në një bashkëbisedim me Albi Dokën më herët, më kujtoi vetëm që nuk duhet të harrojmë çfarë kaluam dy vite më parë, kur ramë nga kategoria dhe nuk u deshën më fjalë për t’u motivuar.

Tirana ka shtuar cilësinë këtë sezon merkatoje…
Cilësia dihet që është shtuar dhe është bërë një punë e mirë. Torasa, Kale, Dunga, Lila, Vangjeli, janë emra të mëdhenj. Ka qenë edhe pjesë besimi, pasi kur fiton dy-tre ndeshje, të merr për poshtë. E kemi pasur si diskutim, që duhet ta nisim mbarë, pasi është gjysma punës. Na është shtuar edhe besimi me fitoren e sotme.

Sa zgjat kontrata juaj me Tiranën dhe si ju paguan babai juaj?
Unë si gjithë të tjerët, pagesën e marr në bankë. Kam edhe 1 vit kontratë dhe kur të mbarojë ky vit, do bisedoj me presidentin sepse dua një shtim rroge. Dua të shtoj bonuset për golat. Agjenti? Agjenti im është ‘moma’, si i themi ne tironsit.

Tirana kampione dhe në grupet e Champions League, apo pjesë e kombëtares dhe në Europian?
Normale që Tiranën kampione dhe në grupet e Champions League, por duhet të jemi me këmbë në tokë. Ndeshjet t’i marrim një nga një.

Ku e shikoni veten në të ardhmen?
Në Shqipëri, jo se kam babin president, nuk më bën zemra të luaj për ekip tjetër përveç Tiranës. Pastaj, si çdo moshatar i imi, objektiv kam që të luaj në një ekip jashtë Shqipërisë.

Keni një dedikim për golin e sotëm?
Golin ua dedikoj gjithë skeptikëve.

Top Channel