Barcelona e këtij sezoni duket se vuan në transfertë, teksa pas humbjes 1-0 në javën e parë përballë Athletic Bilbaos, pasditen e sotme nuk shkuan më shumë se barazimi 2-2 përballë Osasunës.
Vendasit kaluan në avantazh në pjesën e parë me anë të mesfushorit 30-vjeçar Roberto Torres, ndërsa Barcelona reagoi në fillim të pjesës së dytë, duke barazuar rezultatin me anë të sulmuesit 17-vjeçar Anssumane Fati.
Ky i fundit debutoi fundjavën e kaluar përballë Betisit, ku luajti 13 minuta, ndërsa sot trajneri Valverde e hodhi nga fillimi i pjesës së dytë dhe djaloshi nuk zhgënjeu, duke shënuar një gol të bukur me kokë.
Pak minuta më vonë ishte një tjetër futbollist i aktivizuar në pjesën e dytë, braziliani Arthur, që shënoi golin e avantazhit për Barcelonën, por 10 minuta nga fundi Osasuna riktheu baraspeshën, me një 11-metërsh të ekzekutuar saktë nga Torres.
Barcelona bën kështu një start zhgënjyes në kampionat, teksa merr vetëm 4 pikë në 3 javët e para, ndonëse shorti ishte treguar bujar, duke mos e vënë përballë provave të vështira.
Megjithatë nota pozitive duket se është pikërisht sulmuesi 17-vjeçar Fati, i cili është rritur në shkollën katalane të futbollit “La Masia” dhe ka dhënë sinjale të qarta se e pret një e ardhme e ndritur.
Top Channel