Xherdan Shaqiri vendosi të refuzojë ftesën e Përfaqësueses së Zvicrës për ndeshjet eliminatore të Euro 2020-ës përballë Gjibraltarit dhe Irlandës, duke bërë që në vendin helvet të shpërthejnë polemikat në lidhje me këtë rast.
Lajmin e dha vetë Federata Zvicerane e Futbollit, e cila publikoi sot listën e futbollistëve të grumbulluar, bashkë me sqarimin se Shaqiri kishte vendosur të refuzojë ftesën, për t’u përkushtuar tërësisht te klubi i tij, Liverpooli.
Tani dihet me siguri që sulmuesi me origjinë nga Gjilani nuk do të jetë pjesë e Zvicrës për ndeshjet e shtatorit, ndërsa mbetet e paqartë nëse kemi të bëjmë me një refuzim vetëm për këto takime, apo një tërheqje përfundimtare nga angazhimi me përfaqësuesen.
Ndërkohë të shumta kanë qenë reagimet e fansave zviceranë, që nuk e kanë pritur aspak mirë vendimin e 27-vjeçarit dhe nuk kanë ngurruar të bëjnë ironi me faktin se sulmuesi nuk ka luajtur ende asnjë minutë për Liverpoolin.
“Të fokusohet ku? Ai nuk ka luajtur as një minutë me Liverpoolin këtë sezon”, shkruhej në një koment. “Ai ka refuzuar, pasi dëshiron të fokusohet për të zgjedhur vendin e duhur në pankinë”, shkruante një tjetër tifoz.
Top Channel