Departamenti i Drejtësisë: Comey shkeli rregullat e FBI-së

30/08/2019 02:38

Ish-drejtori i FBI-së, James Comey shkeli politikat e Byrosë Federale të Hetimeve për mënyrën e përdorimit të memorandumeve që dokumentojnë biseda private me Presidentin Donald Trump në javët para se zoti Comey të shkarkohej, tha të enjten Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit të Drejtësisë.

Zyra e Inspektorit tha se zoti Comey shkeli rregullat e FBI-së duke i dhënë një memorandum që përmbante informacione josekrete një miku me udhëzime për ta ndarë përmbajtjen me një gazetar. Zoti Comey gjithashtu nuk e njoftoi FBI-në pasi ai u pushua nga puna, se kishte mbajtur disa memorandume në një kasafortë në shtëpi.

Zoti Comey kishte mbajtur shënime në lidhje me bisedat me zotin Trump që ai tha se e kishin shqetësuar. Ai ka thënë se donte të kishte shënime me shkrim për bisedat sepse ishte i shqetësuar se Presidenti Trump më vonë mund të gënjente për to, dhe se ai dëshironte të bënte publike përmbajtjen e një prej dokumentave me shpresën se do të nxiste emërimin e një prokurori të posaçëm që të drejtonte një hetim të FBI-së për lidhjet midis Rusisë dhe fushatës së zotit Trump.

Departamenti ka vendosur që të mos e ndjekë penalisht zotin Comey për këtë çështje.

Avokatët e zotit Comey nuk u janë përgjigjur ende kërkesave për koment, por vetë ish-drejtori i FBI-së vuri në dukje në Twitter se Inspektori i Përgjithshëm nuk gjeti prova që ai kishin ndarë ndonjë informacion sekret me median.

“Unë nuk kam nevojë për një falje publike nga ata që shpifën për mua, por një mesazh me një ndjesë që gënjyen për mua, do të ishte e përshtatshme”. shkroi ai./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA