Presidenti italian, Sergio Mattarella i dha Giuseppe Contes mandatin për të krijuar qeverinë e re pasi lëvizja 5 Yjet në Itali konfirmoi planet për një koalicion me Partinë Demokratike. Koalicioni i ri, zgjodhi kryeministrin e dorëhequr italian, Giuseppe Conte, si kandidat të tyre. Mattarella u takua me Conten mëngjesin e të enjtes për t’i dhënë atij zyrtarisht mandatin si kryeministër i zgjedhur. Pas takimit, Conte do të hartojë një draft program për qeverinë e re të koalicionit dhe do të zgjedhë ministrat. Nëse ai ia del, presidenti do të ratifikojë koalicionin.
Ky është i ndryshëm nga roli që konte ka luajtur në qeverisjen e fundit për të cilën, Lega e Veriut dhe 5 Yjet hartuan programin pa u konsultuar më parë me kryeministrin.
Duke folur për gazetarët, Di Maio tha edhe se ish-partneri i koalicionit, Lega e Veriut, i kish ofruar atij postin e kryeministrit me qëllim që të mblidhte sërish koalicionin e vjetër, por ai kish refuzuar. Ne nuk po largohemi nga përgjegjësitë siç bëjnë të tjerët- tha Di Maio duke iu referuar Legës së Veriut. Ne gjithnjë kemi qenë një lëvizje post-ideologjike. Për ne, nuk ka zgjidhje të majta apo të djathta, por thjeshtë zgjidhje.
Në anën tjetër, Salvini akuzoi Partinë Demokratike se gjithnjë humbet zgjedhjet por sërish ngjitet në pushtet, në kundërshtim me vullnetin e italianëve. Ai e quajti qeverinë e re që po ngrihet, një “Monti II” duke iu referuar qeverisë së kursimit të krijuar si zëvendësuese e asaj të Berluskonit, nën diktatin e BE. Sidoqoftë, ai tha se italianët do të ngrihen dhe do të ndëshkojnë Partinë Demokratike dhe 5 Yjet.
Situata aktuale u shkaktua pikërisht nga Salvini që tërhoqi mbështetjen për koalicionin qeverisës me shpresën se zgjedhjet e reja do t’i sillnin atij postin e kryeministrit. Por, lëvizja e tij duket se hyri në rrugën e dështimit kur Conte refuzoi të dorëhiqej menjëherë duke i dhënë kohë Lëvizjes 5 Yjet dhe Partisë Demokratike të binin dakord për një bashkëpunim.
Top Channel