“Ju lutem mos më deportoni në Rusi sepse atje do të më vrasin”. Me këto fjalë i është drejtuar shtetasi Rasul Miklaev, gjyqtarit të seancës që do të shqyrtonte kërkesën për ekstradimin e tij në Rusi.
I arrestuari deklaroi se nuk ka mundësi të paguajë për mbrojtjen e tij dhe u shfaq dyshues për avokatin e caktuar kryesisht nga gjykata.
”Nuk kam para për avokat, po a do të më mbrojë mirë ky avokat që do të më caktojë shteti shqiptar?”, tha ai. Gjyqtari Paulin Cera e siguroi në profesionalizmin e avokatit të caktuar për mbrojtjen e tij, të cilit me shtyrjen e seancës iu la dhe kohë për t’u njohur me çështjen dhe realizuar mbrojtjen e klientit i cili këmbënguli në kërkesën për mosekstradimin e tij, pasi në Rusi jeta e tij është e pasigurt.
Seanca gjyqësore ndaj 34-vjeçarit, me banim në Çeçeni u shty me 10 shtator, pasi mungonte pa ndonjë shkak të arsyeshëm përfaqësuesi i prokurorisë, organi që ka kërkuar shqyrtimin e ekstradimit të tij në Rusi ku akuzohet për veprën penale që ka lidhje me terrorizmin.
Rasul Miklaev u kap pak ditë më parë në Shqipëri dhe në Rusi është dënuar për akuzën e terrorizmit.
“Unë krijova një organizatë për të mbledhur ndihma për viktimat e luftës në Siri, nuk jam terrorist. Mos më dorëzoni në Rusi se më rrezikohet jeta!”, ka thënë edhe më herët Rasul Miklaev, i arrestuar në Shqipëri si pjesë e grupimit terrorist të Jaish al Muhaxhirin al Answar, pjesë e shtetit islamik ISIS.
Por provat tregojnë se 34-vjeçari që qëndroi për 11 muaj në një dhomë të qendrës se Kareçit ka udhëtuar në vitin 2013 nga Rusia në Turqi dhe mandej në Siri, ku në qytetin Kharitan i është bashkuar njësisë së armatosur të organizatës terroriste.
Rasul Miklaev, 34 vjeç, një person i kërkuar si terrorist prezantohej përpara stafit të Kareçit si ‘Diego Maradona’. Vetë stafi dhe punonjësit e policisë kufitare ia kishin vendosur emrin X , ndërsa njëkohësisht të huaj dhe agjentët e antiterrorit të bindur se bëhej fjalë për një terrorist, vazhdonin të komunikonin me ndërkombëtaret dhe tu kërkonin shenjat e gishtave.
Ajo që e tradhtoi Rasul Mislaev nuk ishte karakteri i tij i çuditshëm apo fakti që qëndronte i mënjanuar nga të tjerët, por e tradhtoi një telefonatë, një telefonate e cila i çoi autoritet shqiptare në një komunikim të vazhdueshëm me Rusinë, që nga ana e saj konfirmoi se ky shtetas ishte me kartelën ‘red notice’.
Kur ai mbërriti në Shqipëri verën e 2018 së bashku me një grup emigrantesh që vinin nga lufta, ai u shtir si një person që as dëgjonte dhe as fliste. Por roli i tij mori fund pikërisht këtu në qendrën e mbyllur të Kareçit, pas intervistimit dhe dyshimit se në fakt nuk bëhej fjale për një person që përpiqej t’i shpëtonte luftës, por behej fjale për një person të rrezikshëm dhe terrorist.
Top Channel