Tirana dhe Teuta nuk e zgjodhën dot më të fortin mes tyre në përballjen që ngriti siparin e javës së dytë në kategorinë Superiore, por të dy ekipet, në pritje të përballjeve të tjera të mërkurën, kryesojnë renditjen me nga 4 pikë.
Bardheblutë ishin superiorë në thuajse të gjithë 90 minutëshin ndaj durrsakëve por mungesa e finalizimit, fati i keq dhe shtylla, i mohuan suksesin në stadiumin Selman Stërmasi.
Pjesa e parë e lojës si asnjëherë më parë zgjati rreth 1 orë e gjysmë për shkak të një defekti në sistemin e ndriçimit, që e ktheu në thuajse një komedi përballjen e futbollit. Ndërkohë në fushë rastet nuk munguan.
Teuta kishte shansin të shënonte fillimisht me Veçajn dhe Vilën por pa sukses ndërsa dritat e munguara, çuan lojtarët në nxemje të detyrueshme. në rinisjen e lojës pas defektit Hoxhallari u ndal nga tranversa ndërsa Tirana pretendoi për penallti me Halilin por pa marrë asgjë.
Ndeshja e luftuar nuk prishi dot ekuilibrat as në fraksionin e dytë pavarësisht zëvendësimeve. 5 minuta nga fundi tranversa i mohoi golin bardhebluve në tentaivën e Hasanit, ndërsa barazimi mori formën finale shpejt, pavarësisht pakënaqësive të vendasve.
Tirana dhe Teuta tani janë me 4 pikë secili, me bardheblutë të parët për shkak të golaverazhit.
Top Channel