Ky është vendi ku u gjet automjeti i djegur i autorëve të dyshuar për vrasjen e ish-policit Santiago Malko. Autorët e kanë braktisur automjetin me të cilin kanë kryer vrasjen në kodrën e fshatit Ferraj dhe më pas i vunë zjarrin.
Kjo metodë është bërë për të zhdukur provat që policia mund të gjente në automjet dhe që do të çonin në zbulimin e vrasësve. Kanë qenë banorët e zonës ata që njoftuan policinë për automjetin e përfshirë nga flakët. Makina tip “Mercedes-Benz”, ishte braktisur në një terren të vështirë dhe me rrugë të pa asfaltuar.
Grupi hetimor sapo ka marrë njoftimin për automjetin e djegur, ka shkuar në vendin e ngjarjes, dhe duke e cilësuar si një provë materiale , makina është dërguar në Tiranë për tu ekzaminuar.
Santjago Malko u qëllua me armë nga një makinë në lëvizje rreth orës 22:20 në rrugën “Xhanfize Keko” në zonën e Porcelanit në Tiranë. Ai u gjet i vdekur brenda automjetit të tij tip “BMW X5”, kurse atentatorët u arratisën në drejtim të fshatit Ferraj, ku dhe u gjet makina e djegur.
Top Channel