Turistë shqiptarë dhe të huaj bllokohen në aksin Poliçan-Skrapar, shkak protesta e firmave të gurit

27/08/2019 15:00

Shumë turistë të huaj dhe vendas kanë mbetur të bllokuar në segmetin rrugor Poliçan-Skrapar. Shkak është bërë protesta e firmave të nxjerrjes së gurit dekorativ në fshatin Novaj. Bllokimi i rrugës ka sjelle probleme të shumta me trafikun.

Nisja e kamionëve për të filluar punë në zonën e rrasave të gurit në fshatin Novaj është bllokuar nga forca të shumta policie dhe forca të FNSH-së. Bllokimi i bërë nga policia ka detyruar firmat të protestojnë dhe të bllokojnë aksin nacional drejt Skraparit.

Firmat kanë kërkuar largimin e menjëhershëm të policisë dhe hapjen e menjëhershme të rrugës për të filluar punën, pasi siç shprehen pronarët e firmave të gurit, policia po i bllokon në mënyrë të kundraligjshme, ndërkohë që nuk u jep asnjë shkresë zyrtare dhe me shkrim për arsyen e bllokimit.

Vendimi i Gjykatës Administrative që rrëzoi poshtë VKM-në e qeverisë për shpalljen e malit të Tomorrit “Park Kombëtar” u ka dhënë të drejtën ligjore firmave të nxjerrjes së gurit dekorativ që të fillojnë punën në fshatin Novaj, pas 22-muaj bllokim nga qeveria.

Pas një takimi me drejtues të lartë të DPV Berat, firmat ranë dakord që të mos punonin deri në 25 Gusht për shkak të Pelegrinazhit në malin e Tomorrit, por pas përfundimit të pelegrinazhit, që prej ditës së djeshme, firmat po bllokohen nga policia në Pronovik dhe prej tyre nuk jepet asnjë shpjegim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA