Kategoria Superiore e ngriti siparin e saj në mënyrën më të mirë të mundshme, me supersfidën mes Partizanit dhe Kukësit, dy skuadra që ditë më parë u përballën edhe në finalen e Superkupës së Shqipërisë.
Sfida u zhvillua në Elbasan Arena dhe këtë radhë ishte skuadra e Shpëtim Duros ajo që iu imponua kryeqytetasve teksa i mundi 1-0, duke marrë kështu edhe hakun për humbjen në Superkupë.
Pjesa e parë ishte më e favorshme për Kukësin, që krijoi rastet më të mira për shënim. Në minutën e 39-të, arbitri Jorgji akordoi një 11 metërsh për nënkampionët dhe Shkurtaj u tregua i saktë në ekzekutimin e tij duke i dhënë avantazhin 1-0 Kukësit, rezultat me të cilin ai shkoi në pushimin e ndeshjes.
Në pjesën e dytë, Partizani u shfaq më i gjallë dhe filloi të kërkojë më shumë. Në këtë 45 minutësh dy ekipet e panë veten me 10 futbollistë për shkak të ndëshkimit me karton të kuq të Lulajt për Kukësin dhe Solomon për Partizanin.
Pak çaste më vonë, Malaj pati shansin më të mirë për të barazuar rezultatin për Të Kuqtë, por topi i goditur prej tij u përplas në shtyllë. Në minutat e mbetura të ndeshjes situata nuk ndryshoi pavarësisht dëshirës së treguar nga Partizani për të shënuar dhe në fund ai që mori 3 pikët ishte Kukësi.
Top Channel