Rreth 3.7 milionë euro është shumë e përfituar nga një skemë mashtrimi e një filiani të një fondacioni kredidhëniene. Për këtë arsye, mbrëmjen e së martës, policia e Tiranës ka vënë në pranga 7 persona, mes tyre drejtoresha e degës, Albana Imami, oficerë të kredidhënies, si dhe Orkida Driza, personin që merrej me gjetjen e klientëve për të aplikuar për kredi. Ndërsa një tjetër person është shpallur në kërkim.
Ndërkaq, për një tjetër person ndërmjetës për gjetje klientësh, akuza do t’i komunikohet në ambjentet e burgut pasi ai aktualisht është me masë sigurie “Arrest me burg, për një tjetër vepër penale.
Por si funksiononte kjo skeme mashtrimi e dhënies së kredive fiktive? Drejtoresha e degës së fondacionit, së bashku me oficerët e kredidhënieve, jepnin kredi tek personat dhe klientët edhe pse ata nuk paraqiteshin fare në zyrat e filialit për të bërë aplikim.
Ata paraqiteshin vetëm në momentin që disbursohej kredia dhe bënin tërheqjen e parave në banka. Shuma që këta persona përfitonin është 25-35% të shumës së kredisë, ndërsa pjesa tjetër përfitohej nga pjesëtarët e stafit të cilët ranë në pranga.
Në përfundim të këtij procesi, drejtoresha e degës së fondacionit, Albana Imami, leshonte një vërtetim fiktiv, ku thuhej se e gjitha shuma e kredituar ishte likuiduar nga klienti.
Shuma e kredive të dhëna nga stafi i kësaj dege të fondacionit, kap vlerën e 2 milionë eurove, ndërkaq drejtoresha e degës, për të mbuluar këtë skemë mashtrimi, ka marrë shuma të mëdha parash me interes nga persona të ndryshëm, duke arritur në vlerën e 1.7 milionë eurove.
Kjo skemë mashtrimi është kuptuar nga drejtuesit e fondacionit të cilët kanë bërë kallëzim në policinë e Tiranës, se një pjesë e stafit të tyre po përfitonte nëpërmjet kredive fiktive, shuma të mëdha parash.
Është dashur një punjë një-javore që krimi ekonomik në bashkëpunim me prokurorinë e Tiranës, të zbulojë këtë skemë fiktive të kredidhënies. Aktualisht hetimet po vazhdojnë për të parë nëse vlera shkoj përtej 3.7 milionë eurove të përfituara fiktivisht.
Për të 8 personat, rëndojnë dy akuza, ajo e Skemës mashtruese dhe Piramidale si dhe vjedhja duke shpërdoruar detyrën.
Top Channel