Voltana Ademi kryetare e bashkisë Shkodër një ditë më parë shprehu shqetësimin dhe pretendimin se qeveria përmes degës së thesarit Shkodër ka bllokuar të gjitha veprimet financiare për këtë bashki. Top-Channel pyeti ministrinë e Ekonomisë dhe financave e cila hedh poshtë pretendimet e zonjës Ademi.
Në përgjigjen dërguar Top-Channel kjo ministri thotë:
“Dega e Thesarit, Shkodër, të gjitha pagesat dhe urdhërpagesat e depozituara nga Bashkia Shkodër brenda orarit zyrtar dhe sipas gjithë procedurave ligjore. Për këtë Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit dhe Dega e Thesarit, Shkodër, ka gjithë dokumentacionin e nevojshëm përsa më sipër”.
Kryebashkia e Shkodrës në detyrë Voltana Ademi e komentoi përsëri këtë situatë. Jo nga zyra por nga Postriba nga ku inspektoi ndërtimin e një rruge.
“Besoj se do të ketë zgjidhje sepse nuk ka kuptim dhe aq më tepër që kurrsesi institucionet administrative të mund marrin tagre që janë të Gjykatave dhe institucioneve të tjera, siç është Presidenti apo Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, shprehet Voltana Ademi.
Voltana Ademi ngulmon se duhet të vijojë të jetë në detyrë në emër të asaj që ajo e quan periudhë tranzitore.
“Institucionet përkatëse të vijojnë me mundësinë që duhet ti japin qytetarëve të Shkodrës, po flas për Shkodrën pastaj ndoshta është e vlefshme edhe për gjithë Shqipërinë, por për Shkodrën është e rëndësishme për sa kohë në këtë periudhë tranzitore do të jem në funksion, për ti dhënë mundësinë të gjithë atyre për të zgjedhur”, shton më tej Ademi.
Top Channel