Nga sot princi anglez Harry dhe bashkëshortja e tij, aktorja amerikane, Meghan Markle do të kenë një sekretare të re private.
Ajo është ish-ambasadorja britanike në Tiranë, Fiona Mcilwham.
Media britanike, e cila e ka njoftuar këtë zhvillim thotë se posti i sekretares private është posti më i lartë për një zyrtar, pranë çiftit mbretëror, që njihen si princi dhe dukesha e Sussex-it.
Fiona Mcilwham zëvëndëson në këtë post Samantha Cohen-in.
Pas përfundimit të mandatit në Shqipëri, Fiona Mcilwham ka shërbyer në Ministrinë e Jashtme britanike, Foreign Office në drejtorinë për Ballkanin. Televizioni britanik ITV, thotë se ajo ka marrë përgjegjinë e një punë shumë të madhe, për t’u bërë sekretarja private e çiftit më të famshëm në botë.
Një çift, i cili çdo ditë është në vëmendje të medias, e cila krahas një mbulimi pozitiv nuk ka kursyer kritikat. Ditët e fundit, media britanike lëshoi kritika të shumta për princin Harry dhe bashkëshorten, të cilët përdorën një avion privat, që doli se ishte paguar nga këngëtari Elton John.
Muajt e fundit, Princi dhe Dukesha e Sussex janë përballur me disa largime të stafit. Kjo ka prodhuar disa shkrime sidomos në gazetat tabloid të cilat shkruajnë se Harry dhe Meghan i kanë të vështira marrëdhëniet me këshilltarët e tyre.
Një burim mbretëror i tha televizionit ITV se janë të shumtë njerzit të cilët dëshirojnë që zonja Fiona Mcilwham të jetë e suksesshme në detyrën që ka marrë, por kjo do të varet nga marrëdhënia e saj me Harryn dhe Meghan.
Top Channel