Kosova i vendosi masë reciprociteti Maqedonisë së Veriut, për disa produkte, pasi ky vend ndali importin e disa produkteve nga Kosova. Maqedonia e Veriut reagon.

Autoritetet në Kosovë vendosën një masë siç thonë reciprociteti ndaj Maqedonisë së Veriut për dy produkte ushqimore. Ndaluan importimin e mjaltit natyral dhe patateve për të mbrojtur interesin e bizneseve dhe prodhimeve vendore. Endrit Shala, ministër në dorëheqje i Tregtisë dhe Industrisë, thotë se kjo masë reciprociteti e Kosovës, pasoi pengesat tarifore të vendosura nga Maqedonia e Veriut ndaj rasadit të peshkut që eksportohet nga Kosova në shtetin fqinjë. Kosova për këtë ka bërë ankesë edhe në organizatën e tregtisë së lirë CEFTA.

Kosova kërkon trajtim të barabartë

“Kam marr vendim që të vendos masa reciproke për produktet e Maqedonisë së Veriut që importohen në Kosovë dhe të ndalojë hyrjen e disa produkteve në mënyrë që të detyrojë shtetin e Maqedonisë së Veriut që të reflektoj dhe të ketë tretman të barabartë për produktet e Kosovës që hyjnë në atë shtet”, thuhej në njoftimin e ministrit Endrit Shala. Sipas tij, Kosova dhe produktet e saj duhet të trajtohen të barabarta me prodhimet e vendeve të rajonit Nuk duam të trajtohemi ndryshe, thotë ministri Shala. “Në rast se ky tretman do të vazhdojë ne do të marrim edhe hapa tjerë, jo vetëm ndaj këtij shteti por edhe shteteve të tjera. Tashmë asnjë prodhim i Kosovës që eksportohet jashtë nuk do të ketë tretman të pabarabartë”, thuhej në njoftimin e ministrit Shala.

Reagimi nga Maqedonia e Veriut

I menjëhershëm ishte reagimi i autoriteteve të Maqedonisë së Veriut. Ministri i Bujqësisë, Trajan Dimovski, thotë se ndalimi i importit të mjaltit natyral dhe rasadit të peshqve nga Kosova nuk paraqet ndalesë të posaçme vetëm për Kosovën. Sipas tij, Maqedonia e Veriut ka për qëllim marrjen e lejes për eksport të peshkut të freskët në tregun evropian dhe se për këtë shkak janë rritur standardet në këtë industri.

“Nuk po implementojnë monitorimin, nuk kanë ndalesë eksplicite, të themi vetëm pse janë prodhime të Republikës së Kosovës, por se masa vlen për të gjithë shtetet e tjera. Nëse dëshmohet se po implementojnë monitorimin, nuk do të ketë asnjë problem”, ka thënë Trajan Dimovski, ministër i Bujqësisë në Maqedoninë e Veriut. Maqedonia e Veriut gjatë vitit eksporton në Kosovë rreth 40 deri 1000 ton patate, ndërsa vlera e mjaltit të eksportuar në Kosovë arrin rreth 400.000 euro.

Gjuriq: Beogradi gjen mënyra për furnizimin e popullatës serbe në Kosovë

Reciprociteti i autoriteteve të Kosovës ndaj dy produkteve të Maqedonisë, ndodh nëntë muaj pasi qeveria e Kosovës i vendosi taksa 100% të gjitha produkteve të Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës. Sipas autoriteteve të Kosovës, asnjë mall nga Serbia nuk hyn në Kosovë, por, ndryshe deklaron Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq. Ai thotë se edhe përkundër presionit në terren dhe rritjen e kontrolleve policore, Beogradi po gjen mënyra për të siguruar furnizim të popullatës serbe në Kosovë me produkte të Serbisë.

Marko Gjuriq

“Është shumë e rëndësishme që bashkëkombësit tanë në Kosovë kanë treguar një nivel të mahnitshëm të solidaritetit dhe gatishmërisë që me mjete paqësore të luftojnë për të drejtat e tyre themelore njerëzore dhe ekzistenciale. Veriu i Kosovës është objektiv obsesiv për Prishtinën, por unë jam i bindur se nuk do të kenë sukses t’i nënshtrojnë serbët, sepse ata po luftojnë me këmbëngulje dhe kanë mbështetjen e padiskutueshme të Beogradit”, tha Gjuriq për gazetën serbe “Politika”, duke mos dhënë detaje sesi futen mallrat serbe futën në Kosovë. “Nuk do të jap shpjegime të hollësishme se si po ia dalin mbanë, sepse, këto shpjegime atëherë do të shërbenin si justifikim për presione të reja të Prishtinës, por është e rëndësishme se në veri ka bukë, qumësht, mish, miell dhe vaj”, thotë Marko Gjuriq.

Që nga vendosja e masës 100% për produktet e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës importet në Kosovë nga këto dy vende kanë rënë në masë të madhe, konfirmon zëdhënësi i doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci. Ai thotë se në fund të vitin e shkuar, nga Serbia dhe Bosnja ka pasur vetëm rreth 2 milionë euro import dhe po aq edhe të hyra nga taksa.

“Këtë vit trendi i ulët ka vazhduar. Për këtë periudhë importi nga këto dy vende është 2.2 milion euro dhe në bazë të këtij trendi pritet që deri në fund të vitit të ketë vetëm rreth 5 milionë euro import që do të thotë do të ketë po aq edhe taksë. Pra, nëse krahasohet me vitet e shkuara ka rënie 99%, sepse brenda një viti nga Serbia dhe Bosnja kishim import më rreth 550 milion euro”, thotë Adriatik Stavileci./DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA