Zgjedhje? Opozita s’merr pjesë/ Debati që hapi Valdrin Pjetri në Shkodër. PD: T’i sekuestrohet pasuria

15/08/2019 15:17

Opozita do ia lërë sërish socialisteve drejtimin e Shkodrës nëse zgjedhjet në këtë Bashki do të ribëhen. Dy aleatët të Partisë Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Agrarët konfirmojnë se nuk do të marrin pjesë në përsëritjen e një palë zgjedhjeve, të cilat s’i kanë njohur kurrë.

“Nuk ka pasur zgjedhje më 30 qershor,  kishte votime moniste të Partisë Socialiste dhe Ramës. Zgjedhjet lokale  janë më 13 tetor nëse zgjedhjet lokale në Shkodër mbahen në 13 tetor, LSI  e ka bërë regjistrimin në respekt të dekretit presidencial,” tha Endrit Braimallari i LSI.

“Është e njëjta histori nuk është problem date, por standardesh. Do vijojë e njëjta histori. Do ketë zgjedhje të pjesshme vetëm me mazhorancën. Nuk ndryshon asgjë, vetëm i jep armë opozitës në argumentet e saj për të vijuar rrugën që ka nisur me protesta”, tha Agron Duka.

Për numrin dy të LSI dhe kreun e agrarëve, historia e Shkodrës është një precedent i vendosur nga Partia Socialiste, e cila kandidon persona me rekorde kriminale për të ruajtur pushtetin.

“ Historia e Shkodrës është tipik filozofi e rilindjes . Nuk i pëlqeu Ditmir Bushati, zgjodhi Valdrinin sekretar politik qarku se i duhet përtej detyrës së kandidatit imagjinar të mbulojë disa punë të tjera që ka bërë shumë mirë në 2003 në Itali,” tha numri dy i LSI-së.

“Mazhoranca dhe Rama, e kanë të veshtirë të shkëputen nga njerëzit me rekorde kriminale; kjo i jep të drejtë opozitës në tezën për të shkuar në zgjedhje pa Ramën kryeministër”, tha Duka.

Partia Demokratike e cila zbuloi dënimin e fshehur të Valdrin Pjetrit nuk është shprehur për skenarin e mudnshëm të zgjedhjeve të pjesshme, nëse i zgjedhuri socialist do të largohet për shkak të së shkuarës së errët. Por, publikisht ajo kërkoi zbatimin e ligjit antimafia mbi pasurinë e Pjetrit.

“Sipas Ligjit Antimafia, Valdrin Pjetri është subjekt i drejtpërdrejtë i tij, pasi siç shprehet ligji subjekt i ligjit është çdo person për të cilin ka indicie se:

a) ka kryer krime që lidhen me trafikimin e lëndëve narkotike. Për rastin e Valdrin Pjetrit, jo vetëm që ka indicie për kryerjen e këtyre krimeve, por ky fakt është i provuar nga vendimet e drejtësisë italiane”, tha Çlirim Gjata.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA