Nuk ndodh shpesh që senatorët italianë të ndërpresin pushimet e tyre verore por falë populistit të zjarrtë Matteo Salvini, zv / kryeministrit të vendit dhe kreut të partisë Lega, atyre iu desh të ktheheshin të martën në një Romë të përvëluar nga i nxehti për të diskutuar se kur do të mbanin një votëbesim për qeverisjen e trazuar 4 mujore të koalicionit.
Politikanët e Italisë tradicionalisht çështjet e rëndësishme politike gjatë javëve të pushimeve të verës në gusht, kur pjesa më e madhe e vendit shkon në plazh për pushime të gjata. Por zoti Salvini, një mjeshtër i populizmit përçarës, zgjodhi pikërisht javën e kaluar, për të njoftuar se ai nuk mund të vazhdonte më të qeveriste në koalicion me Lëvizjen “Pesë Yjet”.
“Jo të gjitha martesat funksionojnë”, ishte batuta e ish-këshilltarit tëDonald Trumpit, Steve Bannon,i cili ka shërbyer si këshilltar informal për zotin Salvini.
“Unë mendoj se martesa midis Salvinit dhe Di Maios ishte një eksperiment fisnik,” i tha zoti Bannon gazetës “Corriere Della Sera”, duke iu referuar Luigi Di Maios, kreut të Lëvizjes Pesë Yje.
“Divorci” ishte i parashikueshëm që pas zgjedhjeve parlamentare evropiane të majit kur Lega dyfishoi mbështetjen e saj nga 17 përqind në 34 përqind, duke sjellë si rezultat jo vetëm entuziazmin e Salvinit, por edhe parashikimet e shumicës së analistëve se ai ka të ngjarë të rrëzonte qeverinë e koalicionit që ishte përfshirë nga grindjet dhe të synonye përzgjedhje të parakohëshme për të përfituar nga mbështetja e tij në rritje e publikut.
Që nga maji, zoti Salvini, i cili mendohet gjerësisht se ka sabotuar partnerin dhe rivalin e tij, Di Maio vazhdimisht që kur u krijua koalicioni, duke përdorur me mjeshtëri mediat sociale për ta bërë këtë, ishte bërë edhe më agresiv në këto përpjekje. Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, një avokat relativisht i panjohur që ishte pothuajse i panjohur kur u caktua për drejtimin e qeverisë, nuk e pëlqen zotin Salvini.
Dhe ndërsa shumë politikanë të tjerë kanë reduktuar aktivitetet e tyre këtë muaj, zoti Salvini ka zhvilluar një fushatë zgjedhore jozyrtare në plazhet italiane, duke përshkuar gjithë vendin.
Javën e kaluar, në Sabaudia, në jug të Romës, ai vuri re se ishte pranëpranë një monumenti të diktatorit fashist Benito Mussolini.
“Do të më shkaktoni probleme”, u tha ai përkrahësve që po nënqeshnin. Nuk flas më. Do të më arrestojnë,”shtoi ai.
“Ekuilibri i pushtetit, në thelb u përmbys mes në maj mes partnerëve të koalicionit, ndërsa Lega fitoi një numër shumë të madh votash”, thotë Cecilia Sottilotta, profesore e shkencave politike në Universitetin Amerikan në Romë.
“Salvini është jashtëzakonisht i zgjuar, është shumë i përgatitur për sa i përket strategjisë dhe në të kuptuarin e ndryshimeve të opinionit publik. Partia e Salvini ka të ngjarë të marrë 35 deri në 36 përqind të votave në zgjedhje në pothuajse çdo skenar, që do të thotë se ai mund të sigurojë një shumicë të ndjeshme, duke formuar një aleancë me partitë e tjera të krahut të djathtë, siç janë ‘Vëllezërit e Italisë’”, thotë ajo.
U deshën 88 ditë të krijohej qeveria e koalicionit të vështirë të Italisë pas zgjedhjeve parlamentaretë marsit 2018 rezultati i të cilave ishte i qartë dhe në të cilat e majta tradicionale pësoi një humbje të thellë.Salvini mori rolin e zv / kryeministrit dhe ministrit të brendshëm, duke u zotuar se do të merrte masa të rrepta kundër imigrantëve pa dokumente dhe të zmbrapste përpjekjet e Brukselit për të kontrolluar shpenzimet publike në Itali. Edhe Di Maio u emërua zv / kryeministër dhe ministër i punës.
Problemet u shfaqën pothuajse menjëherë kur partnerët u përplasën rreth planit të Lëvizjes Pesë Yje për një skemë të ardhurash për të trajtuar problemin e varfërisë. Udhëheqësit debatuan gjithashtu rreth një plani të Lega-s për të vendosur një taksë fikse. Si edhe mbi imigracionin dhe vendimin e Salvinit për të mos lejuar anijet humanitare të shpëtimit të ankoroheshin në portet italiane për të shkarkuar migrantët e kapur në brigjet e Libisë.
Mosmarrëveshja e fundit e madhe erdhi vetëm disa ditë para se Salvini të njoftonte të enjten e kaluar mbi synimin e tij për t’u tërhequr nga koalicioni. Pesë ministra të Lëvizjes së Yjeve kundërshtuan planet për një lidhje hekurudhore alpine me shpejtësi të lartë midis qytetit italian të Torinos dhe qytetit francez të Lionit. Por shumë komentues thonë se Salvini ka përdorur mosmarrëveshjen si një justifikim për t’i dhënë fund koalicionit.
Lega tha në një deklaratë se ishte “e padobishme të vazhdohej me grindjet e përditshme”, dhe javën e kaluar Salvini i tha një turme entuziaste përkrahësish në një miting në qytetin bregdetar të Pescaras se “Italia nuk mund të vazhdojë më me ‘jo-të’, ne kemi nevojë për ‘po’, duhet të zhbllokojmë, të ndërtojmë, të punojmë – mjafton, duhet të shkojmë në zgjedhje.”
Pas votëbesimit, zgjedhjet do të duhet të mbahet brenda 70 ditësh, dhe gjasat më të mëdha për votim janë në tetor. Italianët tradicionalisht zhvillojnë zgjedhje në muajt e pranverës, dhe hera e fundit që u zhvillua një votim në vjeshtë italiane, 1919-a.
Ato zgjedhje i hapën rrugën tre vjet konflikti të dhunshëm politik dhe shoqëror, duke sjellë ngritjen e Benito Mussolinit. Kundërshtarët e Salvinit, të cilët e portretizojnë 46-vjeçarin, si Musolinin e rilindur, e kuptojnë rëndësinë e atyre zgjedhjeve.
Partia me të cilën ai ka të ngjarë të krijojë një qeveri koalicioni, nëse gjithçka shkon sipas planeve të tij, është “Vëllezërit e Italisë”. Kritikët vërejnë se kjo parti i ka rrënjët tek partia fashiste e Musolinit. Krahasimet me Musolini janë hedhur poshtë nga Salvini.
Por ai shpesh ka përmendur në Twitter shprehjen “Sa shumë armiq, sa nder i madh”, një perifrazim i sloganit të Musolinit. Megjithatë të paktë janë analistët neutral që besojnë se Salvini ka ndërmend të shpërbëjë demokracinë italiane.
Ndërkohë, Salvini, ka hedhur poshtë akuzat se partia e tij populiste kërkonte fonde sekrete ruse dhe po instensifikon qëndrimin se ai po mbron “kulturën e krishterë” dhe po ngulmon tek çështja për të cilën ai është bërë më popullor: emigracioni.
Kritikët e Salvini thonë se ai po përpiqet të largojë vëmendjen nga akuzat e Rusisë dhe ekonomia e vendit, e cila vazhdon të jetë e zhytur në recesion.
Partneri i tij i tanishëm i koalicionit, Di Maio, ka thënë se nxitja e një krize të qeverisë tani është “marrëzi dhe e rrezikshme”. Një ish-kryeministri italian, centrististi Enrico Letta, e quajti Salvini një “oportunist” që nuk ka “asnjë parim”, dhe paralajmëroi se shefi i Lega-s mund ta nxirrte vendin jashtë Bashkimit Evropian – duke thënë se një Brexit Italian “nuk ishte i pamundur”.
Por Salvini – i cili ka zbutur euro-skepticizmin e tij gjatë muajve të fundit – e hedh poshtë paralajmërimin e Letta-s për BE-në si “fantazi”. “Ideja e largimit nga Europa, braktisja e Euros nuk ka qenë kurrë një alternativë”, u tha Salvini gazetarëve gjatë një tubimi pranë Materas, në Italinë e Jugut.
Zoti Salvini përballet me një pengesë të mundshme në rrugën drejt zgjedhjeve të reja. Lëvizja “Pesë Yje” mund të bashkohet me partitë e opozitës për të formuar një qeveri të re të koalicionit, me inkurajimin presidentit i vendit, Sergio Mattarella, i cili është i vetmi që ka fuqinë të shpërndajë parlamentin, madje edhe për të emëruar një qeveri teknike. / VOA
Top Channel